Kuvendi sot ka miratuar disa propozime për ndryshime në Ligjin për marrëdhënie pune, me procedurë të shkurtuar, ndryshime në Ligjin për mundësi të barabarta të grave dhe burrave dhe ndryshime në Ligjin për punë devizore.
Me ndryshimet në Ligjin për marrëdhëniet e punës, personat e zgjedhur apo emëruar nga organi kompetent mund të vazhdojnë të kryejnë funksionin e tyre edhe pas plotësimit të kushteve për pension pleqërie, por deri në moshën 67 vjeç.
Sipas propozuesve, deputetë të OBRM-PDUKM-së, amendamentet pritet të krijojnë mundësi për tejkalimin e shpejtë dhe të përkohshëm të problemit të deficitit të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë dhe rrjedhimisht të përmirësojnë efikasitetin e procedurave gjyqësore, si dhe qasjen në drejtësi për qytetarët. Për opozitën propozimi është antikushtetues dhe në kundërshtim me parimin e barazisë.
Deputetët sot kanë votuar edhe propozim-amandamentet në Ligjin për veprimtarinë devizore, Ligjin për regjistrimin e pagesave me para në dorë, Ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale, Ligjin për bankat, Ligjin për inspektimin financiar në sektorin publik dhe Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe familjeve.
Në procedurë të shkurtuar u votuan ndryshimet në Ligjin për urbanistikë, Ligjin për shërbimet postare dhe Ligjin për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, përfitimit pasuror dhe sendeve të sekuestruara në procedurë penale dhe kundërvajtëse.
Kuvendi do të votojë edhe Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Avokatin e Popullit dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Qasje të Lirë në Informata Publike, të cilat po ashtu i nënshtrohen procedurës së shkurtuar.
The post Deputetët votojnë ndryshimet në Ligjin për marrëdhënie pune, ndryshohet mosha për pensionim të personave të emëruar dhe zgjedhur appeared first on Telegrafi.