Deponia Rusino me probleme të shumta financiare

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ndërmarrja publike komunale “Komunalec-Gostivar”, ka filluar të bëjë pagesën e borxheve të mbetura ndaj Ndërmarrjes së Përbashkët Rajonale “Rusino-Pollog”. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i cili thekson se borxhi është duke u paguar brenda mundësive që ka ndërmarrja komunalec.

“Komuna e Gostivarit borxhin ndaj ndërmarrjes së përbashkët ‘Rusino’ e ka shlyer, kurse ndërmarrja komunalec që është ndërmarrje në kuadër të Komunës së Gostivarit e që merret me menaxhimin e mbeturinave – ka borxh. Për shifra të sakta nuk mund të flas, por kohëve të fundit kanë filluar të bëjnë pagesa të rregullta, normal brenda mundësive që i kanë”, deklaroi Limani. Sikurse shumë komuna në rajonin e Pollogut, edhe Komuna e Gostivarit përballet me problemin e deponive të egra. Kreu i komunës megjithatë shprehet se bëjnë përpjekje maksimale që të përmirësojnë gjendjen me deponitë e egra në territorin e Komunës së Gostivarit.

“Kohëve të fundit ka përmirësim të situatës sa i takon menaxhimit me mbeturinat. Nuk kemi ankesa me pikët e grumbullimit dhe mendoj se deri më tani – situata menaxhohet në mënyrë të mirëfilltë. Problemet janë të natyrave të ndryshme me të cilët përballet kjo ndërmarrje, posaçërisht me mbeturinat inerte dhe apeloj për më shumë kujdes. Pra, kemi problem të dyfishtë se qytetarët, përveçse nuk paguajnë faturat, po ashtu edhe kontribuojnë në krijimin e deponive të egra”, tha Limani.

Në ndërkohë, nga Ndërmarrja Publike Rusino-Pollog, vazhdojnë të kenë probleme me grumbullimin e mjeteve financiare nga Komunat e Pollogut, respektivisht nga ndërmarrjet publike që dërgojnë mbeturina në këtë deponi. “Gjithsej kërkesa të paarkëtuara kemi afër 18 milionë denarë, ndërsa obligime ndaj operatorëve kemi afër 12 milionë denarë. Kemi ndërmarrë disa hapa për përmirësimin e situatës dhe vazhdimin e funksionimit të ndërmarrjes tonë, ku si më i rëndësishëm është vendimi i kornizës financiare nga Gjykata Themelore Gostivar, e cila po ashtu u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit, e cila është shumë domethënëse për funksionimin normal të ndërmarrjes. Rritja e çmimit për deponim të mbeturinave të përziera komunale, nga 5 euro, në 8 euro në ton për deponim”, thotë Sazan Horvati, drejtor i Ndërmarrjes publike të përbashkët rajonale “Rusino-Pollog”.

Advertisement

Sipas drejtuesve të Ndërmarrjes së përbashkët, situata financiare është e vështirë, për momentin funksionojnë me xhirollogari të bllokuar nga operatori i jashtëm i cili bën mirëmbajtjen e deponisë. Borxhet ndaj kësaj ndërmarrje i kanë ndërmarrja publike komunale “Komunalec Gostivar” dhe ndërmarrja publike komunale “Tetova” e Tetovës, ndërsa koncesionerët privatë janë më të rregullt në shlyerjen e obligimeve./Koha.mk/

The post Deponia Rusino me probleme të shumta financiare appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy