930 fëmijë në mbarë vendin janë të prekur nga koronavirusi. Shifrat për “Alsat” i konfirmon drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Shaban Memeti. Klinika e Fëmijëve tashmë është shndërruar në Qendër Kovid, ku për momentin të shtrirë janë 21 fëmijë pozitiv të moshës nga 1 muaj e gjysmë deri në 18 vjeç. Vetëm mbrëmë janë pranuar dhjetë fëmijë me Kovid. Drejtoresha e kësaj Klinike bën thirrje që fëmijët të mos grupohen nëpër ambiente të mbyllura.
“Gjendja nuk është siç ishte më herët. Kur thuhej se fëmijët janë asimptomatik dhe se më lehtë e kalojnë virusin, tanimë kjo gjë nuk është kështu, çështja ka ndryshuar. Për momentin kemi 21 fëmijë, ndërkohë lëshojmë për në shtëpi në bazë ditore por 10 fëmijë kemi pranuar mbrëmjen e djeshme. Kryesisht tek fëmijët simptomat janë temperaturë e lartë, ndezje, mungesë oreksi për ushqim e cila mund të sjellë deri në dehidrim që është mjaft fatale tek fëmijët”, tha Aspazija Sofijanova, drejtore e Klinikës së Fëmijëve në Shkup.
Nga e hëna Spitali i fëmijëve në Kozle i ka transferuar të gjithë fëmijët në Pediatri për tu shndërruar në Qendër Kovid për të rritur. Drejtori i Kozles ngre alarmin se nga marsi, tek spitali i tyre numri i fëmijëve me Kovid është trefishuar.
“Kemi pas edhe fëmijë 3 ditësh me Kovid, 7 ditësh, 3 muajsh, 7 muajsh e deri 18 vjeçar. Kemi pas fëmijë që kanë qenë me komplikime më të rënda prandaj kanë qenë të Instituti jonë. Nga fillimi i muajit mars, filloi të trefishohet numri i fëmijëve të cilët janë pozitiv dhe me simptomatologji më të përparuar. Shumica e fëmijëve kanë pasur nevojë për oksigjeno terapi dhe në përgjithësi ato vinin me simptomatologji shumë të përparuar nga rrugët e frymëmarrjes, temperaturë shumë të lartë”, pohoi Besnik Zeqiri, drejtor i Institutit të sëmundjeve të mushkërive “ Kozle”.
Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale Shahpaska tha se edhe nëpër çerdhe vërehet një rritje e lehtë e numrit të fëmijëve me Kovid megjithatë sipas saj, qëndrimi në çerdhe është i sigurt.
The post Covid-19 në Maqedoni, 930 raste aktive tek fëmijët appeared first on Telegrafi.