Bullgaria e realizoi kërcënimin për veto, duke bllokuar miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në Këshillin e ministrave për Punë të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së.
Megjithatë, presidenca gjermane e BE-së dhe Komisionit Evropian kanë konfirmuar se BE nuk do të heq dorë nga një zgjidhje e mundshme deri në fund të këtij viti, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut vlerëson se vendimi i Bullgarisë nuk është në frymën e miqësisë së mirë dhe marrëveshjes së nënshkruar në mes dy vendeve, por njofton se bisedimet vazhdojnë derisa të gjendjet zgjidhje “win-win” në interes të së ardhmes evropiane të shtetit.
Ministrja bullgare Ekaterina Zakharieva pas mbledhjes së këshillit që u mbajt online, tha se Bullgaria në këtë fazë nuk mund ta mbështesë kornizën negociuese me Maqedoninë, pasi në propozim-drafti nuk i ka përshirë kërkesa bullgare.
Bullgaria insiston në tre kushte në kornizën negociuese: – respektimi i formulimit gjuhësor të vitit 1999, konfirmuar nga Marrëveshja e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë, – konfirmimi i një plani për zbatimin e Marrëveshjes së 2017, – dhe një tekst shumë të qartë dhe preciz se nuk do të ketë pretendime për pakicën maqedonase në Bullgari./Telegrafi/
The post Bullgaria vendosi veto për Maqedoninë e Veriut, megjithatë Berlini lë hapësirë për zgjidhje deri në dhjetor appeared first on Telegrafi.