Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot u takua me Ambasadorin e Federatës Ruse në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sergej Bazdnikin.
Në takim, siç njoftojnë nga MPJ, u bisedua për zhvillimet në Ukrainë dhe rreth saj, me çka ministri, Osmani bëri thirrje për deeskalim të situatës dhe gjetje të zgjidhjes përmes dialogut dhe mënyrës diplomatike të komunikimit dhe e përsëriti qëndrimin se Maqedonia e Veriut e respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.
“Njëherazi, Ministri, Osmani theksoi se anëtarësimi ynë në NATO paraqet arritje të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit, që është shprehje e vendimit tonë sovran, të miratuar njëzëri në Kuvend në vitin 1993. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s paraqet garanci për sigurinë tonë, e njëkohësisht kontribuon edhe për sigurinë më të gjerë rajonale. Ai shtoi se NATO është aleancë për mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare dhe nuk paraqet kërcënim për Federatën Ruse apo për ndonjë vend tjetër në botë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Ministri Osmani, shtojnë nga MPJ, e rikonfirmoi thirrjen deri tek Federata Ruse për dialog të hapur në kuadër të Këshillit NATO-Rusi dhe në OSBE, me qëllim avancimin e sigurisë së Evropës, që është në interes të përbashkët të të gjithëve.
“Në takim u diskutua edhe për rolin e Maqedonisë së Veriut si pjesë e Treshes së OSBE-së dhe presidencën vijuese me OSBE-së, në vitin 2023”, thuhet në fund të njoftimit./Telegrafi/
The post Bujar Osmani për ngjarjet në Ukrainë: Duhet të gjendet zgjidhje përmes dialogut dhe diplomacisë appeared first on Telegrafi.