Do të diskutojmë me EMV-në dhe do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike nga viti i ardhshëm. Sigurisht kjo do të varet edhe nga plani i prodhimit të EMV-së, por do të angazhohemi që t’i mbrojmë qytetarët nga goditjet e çmimeve, deklaroi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.
Në intervistën në TV Sitel sonte, ajo theksoi se çmimi me të cilin EMV-ja aktualisht e furnizon EVN-në për konsumatorët është 60 euro dhe shtoi se “nëse i krahasojmë me çmimet reale kjo është shumë më e ulët, që do të thotë se kjo Qeveri po tregon interes dhe kujdeset për qytetarët”.
Importi i energjisë elektrike në vend se gjatë javës, tani bëhet çdo dy javë dhe siç tha ajo, “çmimet tashmë thuhen në mënyrë transparente”.
“Fatkeqësisht për shkak se hidrologjia është shumë e keqe, rezervat e ujit janë nën 20 për qind dhe për këtë arsye është bërë importi… Shpresojmë që edhe blloku i parë (nga KME Manastir) të jetë në funksion nga dhjetori dhe ai import të të jetë shumë më i vogël, pra do të mundohemi të prodhojmë mjaftueshëm megavat orë për të gjithë popullatën”, ka thënë Bozhinovska.
Lidhur me gjendjen në KME Manastir dhe cilat janë planet me kombinatin, ministrja tha se javën e kaluar ka pasur takim me drejtuesit e ri dhe se gjendja e konstatuar është “katastrofale”.
“Personalisht pashë se çfarë po ndodhte atje, ma prezantuan situatën që ata e kanë trashëguar. Mund të them se ka shumë anomali dhe se situata është katastrofale. Nuk janë bërë renovime, ka sasi të madhe të rezervave të panevojshme dhe më e rëndësishmja, nuk është përdorur mekanizimi dhe cilësia e thëngjillit është joadekuate”, ka thënë Bozhinovska.
Instituti i Minierave nga Shtipi në bashkëpunim me KME Manastir ka bërë projekt sipas planit se si do të nxirret thëngjilli dhe tha se për një kohë të shkurtër ka përmirësim në punën e blloqeve dhe për këtë arsye pret të sigurohet një sasi e mjaftueshme me energji për dimrin e ardhshëm.
“Ka kohë që nuk kemi parë nga ora 17 deri në 22, janë orët kur rryma në bursa është shumë e shtrenjtë, në të dy blloqet prodhohet 180 megavat energji, madje fundjavën e kaluar ishte edhe 203 megavat orë. Kjo do të thotë se është një përmirësim i madh. Sa i përket bllokut të parë që nuk funksionon, nuk është bërë rinovim siç duhet. Por ky menaxhment na siguroi se do të bëjë përpjekje që në dhjetor të vihet në rrjet. Kjo do të thotë të forcohen kapacitetet dhe të prodhohet sa më shumë energji elektrike”, ka thënë Bozhinovska.
Sa u përket vauçerëve për kondicionerë inverterë për amvisëri, ajo informoi se dje – në ditën e parë, janë shpërndarë 76 për qind nga mbi 6000 vauçerët të cilët do të mund të merren deri në fund të këtij muaji.
Ajo tha se qytetarët që mendojnë se janë dëmtuar gjatë zgjedhjeve mund të paraqesin ankesë në arkivin e Ministrisë së Energjetikës dhe se të gjitha ankesat do të përcillen dhe shqyrtohen në shërbimin e tyre juridik.
The post Bozhinovska: Do të diskutojmë që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike nga viti i ardhshëm appeared first on Telegrafi.