Botohet romani i ri i shkrimtarit Kim Mehmeti: Një simfoni me fjalë për Shkupin e tij!

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Me një subjekt të veçantë, me ngjarje e rrëfime të ethshme, një filozofi që të çon drejt njohjes së njeriut, atij të vërtetit, përballë rrethanave, botës së zhurmshme, grisë së madhe, rrathëve trigonometrikë të aktualitetit… Një mëhallë e madhe, e zhurmshme, me gra që vijnë e ikin, me gra që thurin historinë e një qyteti, me gra që dinë të jenë vetvetja, dinë të udhëheqin dhe pushtojnë, sepse ato ndihen shpirtra të lirë.
Një histori tërheqëse, rrëfyer me mjeshtëri nga Kim Mehmeti

Redaktore – Majlinda Rama.
Së shpejti, në të gjitha libraritë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni (sapo të hapen kufijtë)
Kanë thënë për romanin “Mëhalla e grave”:

“Njësoj si ‘Lypsiqaret’, një roman që vihet në shërbim të mbarësisë, edhe gratë në romanin më të ri të Kim Mehmetit, plotësojnë vizionin e shkrimtarit, duke sjellë dhembshuri dhe solidaritet gjatë fatkeqësive natyrore, sidomos gjatë fatkeqësimeve njeri… Një rrëfim romanor me imagjinatë të çmendur të shkrimtarit. Është nga ato narracione që pasqyrojnë rrugën drejt vetvetes, rrugën e njeriut drejt njeriut, mbështetjen e gruas për gruan…”. (Ali ALIU)

“Gruaja është ajo që nxjerr burrin jashtë vetes… Gruaja është ajo që e rimerr burrin pranë vetes. Gruaja. Gruaja… pak rëndësi, nëse e ka emrin Xhemile, Hatixhe apo Eva. Gruaja dhe qyteti, shpesh, janë të palexueshëm. E kur duan që t’i fusin thellë, në tunele apo bodrume të fshehta, sërish gruaja dhe qyteti i gjejnë udhët. “Mëhalla” e Kim Mehmetit na sjell Shkupin e tij si një simfoni me fjalë, ashtu si gratë dhe qyteti kthehen në muzikantin dhe muzikën, duke patur partiturë vetëm atë që mbetet, pavarësisht kohëve, pavarësisht atyre që shkojnë e vijnë…”. (Agim BAÇI)

Advertisement

“Roman që të zë në befasi e të mban peng. Brenda tij gjen edhe historinë, edhe kohët në ikje-ardhje, edhe filozofinë e qenies, gjen betejat, sfidat, triumfin dhe, çdo faqe e librit, të shtyn drejt thellësive të shpirtit njerëzor, sidomos të gruas, të vetvetes, të ekzistencës sonë, individuale dhe kolektive. Kim Mehmeti ka ditur të shpalosë trikohët: të djeshmen-të sotmen-të ardhmen; jetën-paravdekjen-vdekjen, brenda një lagjeje që ka ligjet dhe rregullat e veta, ka kozmosin e vet… Copëza realiteti të një qyteti (udhëtim nëpër histori) kryqëzohen me imagjinatën kreative të autorit, (lindja e foshnjes nga lehona e vdekur, uji i lumit që përvëlon, fluturat pushtuese, lulet kaltëroshe mbirë mbi gjakun e kurbaneve) duke sjellë një inkorporim të veçuar, që e uzurpon vëmendjen e lexuesit…”. (Majlinda RAMA)
Top of Form

Bottom of Form

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy