Rishikimi i Buxhetit pritet të jetë gati në fund të javës, për t’iu dorëzuar Qeverisë dhe për të hyrë në procedurën parlamentare javën e ardhshme, njoftoi Ministri i Financave Fatmir Besimi.
Rishikimi i Buxhetit do të sigurojë një pjesë të fondeve për zbatimin e masave të paketës së katërt antikrizë, dhe në të njëjtën kohë fondet do të drejtohen nga pozicionet që kanë zbatim më të ulët në pozicionet që do të stimulojnë aktivitetin ekonomik.
“Implikimet direkte fiskale të paketës së katërt të masave antikrizë janë 160 milion euro. Disa prej tyre do të mbulohen përmes rishikimit të buxhetit, gjegjësisht duke shkurtuar aty ku ka mundësi, ku mund të shihet se deri në fund të vitit pozicioni nuk do të realizohet. Pjesa tjetër do të mbulohet nga huamarrja.
Kjo është mënyra e financimit të gjithë paketës. Bëmë përgatitjet e para për rishikimin e buxhetit në Ministrinë e Financave, por pritej numri i saktë i paketës. Tani jemi duke punuar në Ministrinë e Financave dhe deri në fund të javës shpresojmë të plotësojmë rishikimin e buxhetit. Sapo të kalojë në Qeveri, javën e ardhshme ai do të jetë në procedurë parlamentare, pra do të dërgohet në Kuvend”, deklaroi për “Sitel” Besimi në një intervistë për lajmet e Sitel./Telegrafi/
The post Besimi: Rishikimi i Buxhetit pritet të jetë gati në fund të javës appeared first on Telegrafi.