“Shëndetësisë maqedonase i mungojnë dyfishi i infermierëve nga numri i të punësuarve deri më tani, ka një dalje të madhe jashtë vendit, ndërsa profesioni ende nuk është i rregulluar ligjërisht.Mungesë e veçantë ndjehet tek mamitë, arsimimi i të cilave është zhdukur nga shkollat e mesme, përveç në paralelet shqipe të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup. Tashmë mamitë shkollohen vetëm në ciklin e parë të studimeve në shkollat e larta të mjekësisë prandaj janë kuadër në mungesë”.
Këto ishin vetëm disa nga problemet e theksuara në Ditën Botërore të Mamisë dhe Javën Botërore të Infermierisë, e cila u shënua në Manastir në prani të një numri të madh të infermierëve, teknikëve, mamive dhe infermierëve stomatologë nga institucionet shëndetësore publike dhe private në Maqedoni.
“Strategjia jonë është kthimi i mamive në arsim. Investimi në arsimin e mamive është shumë i rëndësishëm. Ky është mesazhi i kësaj jave të infermierisë për autoritetet tona, për procesin tonë edukativo-arsimor. Do të duhet seriozisht të bëjmë programe jo vetëm për mamitë por edhe për të gjithë infermierët”, tha Gordana Beshliovska, kryetare e Sindikatës së Infermierëve me mbi 5000 anëtarë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka parashikuar një mungesë prej 9 milionë infermierësh deri në vitin 2030. Është një deficit global që fatkeqësisht ka pasoja edhe vendi ynë, pasi tashmë ka një dalje të stafit infermieror jashtë shtetit.
“Ka një dalje shumë të madhe jashtë shtetit. Ne e llogarisim në bazë të kërkesës së tyre në Asociacion për certifikatat e anëtarësimit me të cilat në vendet ku dalin janë të regjistruar administrativisht. Pandemia me Covid-19 nuk ka përfunduar dhe mungesa e infermierëve në institucionet shëndetësore duhet të plotësohet me konkurse të vazhdueshme”, tha Beshliovska.
Beshliovska potencoi se duhet të ketë një infermiere për tre deri në pesë shtretër spitalor, që do të ndihmojnë në kryerjen e vizitave të mëngjesit tek pacientët dhe se mesatarisht nëse reparti ka 30 pacientë, nevojiten pesë deri në gjashtë infermierë dhe kjo nuk vërehet askund sepse ka boshllëqe.
The post Beshliovska: Shëndetësisë maqedonase i mungojnë shumë infermierë, ka dalje të madhe jashtë vendit appeared first on Telegrafi.