Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në paraqitjen e tij në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat shprehu besimin se këtë vit çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet.
Megjithatë ai tha se vitin e ardhshëm, duke pasur parasysh lëvizjet në bursë, mund të rritet çmimi i energjisë elektrike.
“Jam i bindur që çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet këtë vit, por në vitet në vijim, duke pasur parasysh trendin dhe çmimet në bursa, duhet të rritet, por këtë vit nuk do të ketë rritje të çmimeve të energjisë elektrike në vendin tonë”, tha Bekteshi.
Ai foli edhe për vendimin e Qeverisë për të rritur taksën ekologjike, duke thënë se kjo nuk është një rritje akcize por një fond që do t’i shërbej Ministrisë së Ambientit për të mbrojtur më shumë ambientin që rrethon.
“Shtrenjtimi i derivateve nuk është rritje e akcizës, por është një fond ekologjik që do të thotë se është në kuadër të ambientit jetësor. Kjo taksë ka të bëjë me rritjen e përqindjes të cilat paguhen në kuadër të fondit të ekologjisë që është duke u krijuar në kuadër të Ministrisë së Ambientit Jetësor, që do të përdoren për masa të ndryshme për të mbrojtur ambientin jetësor. Kjo taksë do të ndërgjegjësojë më shumë qytetarët që sa më shumë të kemi kujdes për mbrojtjen e ambientit”, tha Bekteshi.
The post Bekteshi: Këtë vit nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike appeared first on Telegrafi.