Qytetarët shqiptarë nuk do të mund të udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian edhe për 15 ditë. Shqipëria mbetet sërish jashtë listës së vendeve të treta me të cilat Bashkimi Evropian rihap kufijtë e jashtëm.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja Hercegovina nuk përmbushin ende kriterin kryesor të menaxhimit të pandemisë COVID-19, që ka të bëjë me numrin e infektimeve për çdo 100.000 banorë. Ky numër duhet t’I korrespondojë nivelit mesatar evropian, që është 16 raste infektimi për 100 mijë banorë.
Ky është informacioni që vjen në vijim të takimit të grupit të punës Këshillit të Bashkimit Evropian mbi rishikimin çdo 15 ditë të listës së vendeve të treta për rihapjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Kjo listë ka të bëjë konkretisht me heqjen e kufizimeve për udhëtimet jo-esenciale drejt Bashkimit Evropian të vendosura pêr shkak të rrezikut të përhapjes së COVID-19. Listës së mëparshme të 14 vendeve të treta, qytetarët e të cilëve kanë të drejtë të udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian, i është shtuar Australia dhe Kina.
Burime të Këshillit të Bashkimit Evropian tregojnë se autoritetet australiane kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për menaxhimin e pandemisë. Ndërkohë për Kinën, mbetet në fuqi reciprociteti lidhur me udhëtimet jo-esenciale.
Qytetarët e Kinës do të lejohen të udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian vetëm nëse Kina heq kufizimet e veta për qytetarët evropianët. Ky informacion pritet të zyrtarizohet në 15 korrik./NOA/
The post BE përditëson listën e vendeve që lejohen në schengen, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sërish të izoluara appeared first on Telegrafi.