
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj siç thonë, tensioneve ndëretike të krijuara pas dështimeve të Mickoskit, duke e përmendur hetimin selektiv të tragjedisë së Koçanit.
“BDI dënon përpjekjet për tensione ndëretnike si mbulesë për dështimet e Mickoskit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pas zjarrit tragjik në Koçani, ku humbën jetën 60 të rinj, thekson nevojën urgjente për përgjegjësi dhe respektim të standardeve më të larta, në mënyrë që të parandalohen tragjedi të tilla në të ardhmen.
Për fat të keq, pas kësaj katastrofe, qytetarët janë dëshmitarë të një sjelljeje shqetësuese nga ana e qeverisë aktuale të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Mickoski.
Në vend që të ndërmarrë masa të shpejta dhe vendimtare dhe të kërkojë përgjegjësi nga fajtorët e vërtetë, qeveria ka zgjedhur të shmangë përgjegjësinë e funksionarëve aktualë dhe është dhënë pas krijimit të tensioneve të panevojshme ndëretnike.
Aktualisht, Mickoski, përmes arrestimeve të pabazuara të shqiptarëve, po përpiqet të nxisë tensione ndëretnike si mbulesë për dështimet e qeverisë dhe si mjet për të shkaktuar përçarje etnike.
BDI dënon ashpër arrestimet e fundit të individëve që nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë, si një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësit e vërtetë.
Këto veprime të paprovuara, të nisura nga institucionet e kontrolluara nga Mickoski, shërbejnë për të targetuar qëllimisht individë për qëllime politike.
Është e qartë se, ndërkohë që individë të thjeshtë po përdoren si kurbanë, ata që mbajnë pozita të fuqishme – përfshirë ministra dhe drejtorë aktualë– vazhdojnë të jenë të lirë, pavarësisht përgjegjësisë së tyre të plotë për këtë tragjedi”, thonë nga BDI.
BDI u ka bërë thirrje institucioneve që të veprojnë sipas ligjeve, e jo sipas “Ligjit të Mickoskit”.
“Ne i bëjmë thirrje Institucioneve:
1. Të mos veprojnë sipas “Ligjit të Mickoskit”, por të dëshmojnë përkushtimin e tyre për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
2. Të zhvillojë një hetim të thellë dhe transparent për tragjedinë në Koçani, të bazuar në prova, duke garantuar që personat realisht përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike.
3. Të përqendrohet në zgjidhjen e kërkesave legjitime të familjeve të të prekurve dhe të opinionit më të gjerë publik që kërkon drejtësi, për çka është e domosdoshme të hetohen në mënyrë të thelluar të gjitha faktet që çuan në këtë fatkeqësi që mori 60 jetë njerëzore – në mënyrë që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më.
Mickoski duhet të ndalojë me qasjen selektive dhe arrestimet pa prova të mjaftueshme, të lirojë ata që janë ndaluar në mënyrë të paligjshme pa material provues apo pa procedurë të rregullt.
BDI mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, barazisë dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve dhe u bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave vendore të shoqërisë civile që t’i bashkohen thirrjes për një zgjidhje të drejtë dhe të paanshme të kësaj krize të imponuar njëanshëm, ku përgjegjësit e vërtetë po udhëheqin proceset dhe po përpiqen, përmes ndikimit të tyre, të shmangen nga përgjegjësia”, thonë nga BDI.
The post BDI: Tensionet ndëretnike si mbulesë për dështimet e Mickoskit, institucionet të veprojnë sipas ligjit appeared first on Telegrafi.