Në konferencën për shtyp të mbajtur në selinë e Bashkimit Demokratik
për Integrim, përfaqësuesja e BDI-së dhe zëvendës ministre e financave
Shiret Elezi ka prezantuar masat e miratuara nga Qeveria e RMV-së për të
ndihmuar sektorët më të prekur nga Pandemia e Covid 19 si dhe ndihma që
pushteti qendror i jep qytetarëve dhe gjithë atyre që janë prekur nga
kjo krizë shëndetësore.
“Kemi siguruar mjete financiare për mbi 200 mijë të punësuar, 30 mijë
kompani mikro, të vogla dhe të mesme përfshirë këtu edhe zejtarët
individual. Ndihmë prej 7 mijë denarë prej 15 deri 20.000 të papunë, 120
mijë qytetarë me të ardhura të ulëta, 100 mijë student dhe nxënës, 50
mijë bujq, personel mjekësorë në repartet infektive për mbi 3100 të
tillë si dhe sportistët dhe artistët dhe në fund edhe për 320 mijë
pensionistë”, ka theksuar kështu në konferencën për shtyp zëvendës
ministrja Elezi.
Sipas saj, qëllimi i këtyre masave është që të rimëkëmbet ekonomia
vendore dhe ruajtja e vendeve të punës.
“Qëllimi i masave është rimëkëmbja e ekonomisë vendore pas krizës
shëndetësore – ekonomike, ruajtja e likuiditetit të kompanive vendore,
ruajtja e vendeve të punës, sigurimi i mbrojtjes sociale si ndihmë për
qytetarët e papunë dhe rastet sociale, përkrahja për sektorët më të
prekur nga kriza e virusit Covid 19 si turizmi, hoteleria, transporti,
zejtarët individual, sportistët e artistët, të punësuarit në ndërmarrje
mikro, të vogla dhe të mesme, studentët e nxënësit, stimulim për të
punësuarit në sektorin e shëndetësisë, paga stabile për administratën
shtetërore si dhe pensione në kohë”, tha Elezi.
Nga ana e shpenzimeve ka shtesa për programet përkatëse të Covid 19:
– 8,9 miliardë denarë të programit COVID në Qeveri për zbatimin
e masave të synuara për stimulimin e konsumit privat të qytetarëve me
përqendrim në ekonominë e vendit dhe mbështetjen e sektorit privat dhe
të punëtorëve,
– 755 milionë denarë për programin KOVID në Ministrinë e
ekonomisë për masat për mbështetjen e konsumit privat të qytetarëve dhe
mbështetjen e sektorit e tuizmit vendor,
– 1,780 miliardë denarë për mbrojtje sociale në lidhje me
efektet e Covid-19,
– 350 milionë denarë për Fondin e Shëndetit në kuadër të masave
antikrizë për nevoja të rritura si rezultat i Covid 19,
– financimi i sigurimit shëndetësor për grupet e cenuara,
– 120 milionë denarë për Ministrinë e shëndetësisë të forcojë
ambientet shëndetësore për zbulimin e sëmundjeve duke siguruar
ekspertizë teknike, pajisje laboratorike dhe sisteme për zbulimin e
rasteve në përputhje me udhëzimet e OBSH-së dhe operacionalizimin e
shtretërve shtesë,
– 455 milionë denarë në Ministrinë e Arsimit të programit Covid
19 për të mbështetur të rinjtë dhe studentët me fokus në IT dhe aftësi
digjitale,
– 165 milionë denarë për pagesën e mjeteve për të papunët në
Agjencinë e punësimit,
– 60 milionë denarë për bashkëfinancim kombëtar për një linjë të
re kreditore për fazën e rimëkëmbjes dhe ristartimin e ekonomisë
vendore, e cila do të implementohet përmes Bankës së zhvillimit.
Sipas saj, do të ofrohen kredi të volitshme përmes bankave afariste për
ndërmarrjet derisa shteti do të subvencionojë normën e interesit prej 0%
si përshpejtues i proceseve në periudhën e rimëkëmbjes së ekonomisë
vendore.
“Banka për Zhvillim përmes bankave afariste do të ofrojë kredi të lira
për ndërmarrjet. Shteti do të subvencionojë normën e interesit për t’i
mundësuar Bankës për Zhvillim të ofrojë kredi me interes 0% për bankat
afariste dhe në këtë mënyrë shfrytëzuesve të kredive do tu ofrohen kredi
të volitshme me interes rreth 1.5%. Masat dhe aktivitetet që do të
ndërmerren do të jenë një katalizator, përshpejtues i proceseve në
periudhën e rimëkëmbjes së ekonomisë vendore”, thekson për fund në
konferencën për shtyp zëvendës ministrja e financave Shiret Elezi.