
Fotografia e djeshme e Prokurorit të Përgjithshëm Kocevski dhe Ministrit të Brendshëm Toshkovski, duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në luftën kundër korrupsionit, është një ironi e hidhur për drejtësinë dhe provë për shtetin e kapur nga pusheti, akuzojnë sot nga BDI.
Në vend të atij duarshtrengimi, thonë nga atje, ajo pamje duhej të ishte një skenë hetimi, ku Ministri i Brendshëm jep llogari për rolin e tij në tragjedinë e Koçanit.
“Për më shumë se një vit, një klub nate funksionoi pa licencë, me dijeninë e plotë të zinxhirit komandues të policisë lokale. Pavarësisht paralajmërimeve të brendshme për shkeljet e rënda, përfshirë praninë e të miturve, përdorimin e drogës dhe materialeve piroteknike, asnjë veprim nuk u ndërmor.
Kjo neglizhencë çoi në humbjen tragjike të mbi 60 jetëve dhe plagosjen e mëse 200 personave.
Në vend që të shfaqte ndjeshmëri dhe të merrte përgjegjësi, Ministri Toshkovski vazhdon të shmang çdo lloj përgjegjësie morale apo ligjore.
Kjo sjellje përforcon përceptimin e një shteti të kapur, ku drejtësia është selektive dhe e ndikuar politikisht.
Kërkojmë që Prokuroria të veprojë me pavarësi dhe integritet, duke hetuar, pa vonesë dhe pa ndikime politike, të gjithë ata që kanë dështuar në detyrën e tyre për të mbrojtur qytetarët. Drejtësia nuk mund të jetë një shfaqje për media; ajo duhet të jetë një realitet i prekshëm për çdo qytetar”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Nga BDI shtonë se familjet e viktimave dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë përgjigje dhe drejtësi të vërtetë, jo memorandume bosh, premtime të rreme dhe fajtorë kujdestarë./Telegrafi/
The post BDI: Nënshkrimi i memorandumit nga Kocevski dhe Toshkovski është një ironi e hidhur për drejtësinë appeared first on Telegrafi.