
Nga BDI thonë se qeveria me debatin për stemën po defokuson opinionin nga problemet reale me të cilën ballafaqohet vendi, siç janë kriza ekonomike dhe çmimet e larta të ushqimeve dhe energjisë elektrike, ndërsa vendi po shkon drejt izolimit.
“Familjet e zakonshme nuk mund të përballojnë më koston e jetesës, ndërsa qeveria vazhdon të merret me çështje të pavlera dhe debate të qëllimshme si ajo e stemës për të shmangur vëmendjen nga dështimet e saj.
Inflacioni i pakontrolluar ka shkatërruar fuqinë blerëse, qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë për të siguruar nevojat bazë, por nuk marrin asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore për të lehtësuar barrën e qytetarëve që sot ndodhen në prag të mbijetesës.
Në vend që të merret me politikat e duhura për të përmirësuar jetën e njerëzve, qeveria po e zhyt vendin edhe më thellë në izolim.
Integrimi në Bashkimin Evropian është bllokuar dhe qeveria nuk ka asnjë strategji për ta zhbllokuar këtë proces. Ndërkohë që vendet e rajonit avancojnë, qytetarët tanë janë të detyruar të përballen me pasiguri ekonomike dhe mungesë perspektive.
Nëpër zyrat e pushtetit vazhdon luksi dhe indiferenca, ndërsa qytetarët nuk mund të përballojnë më as faturat e muajit të ardhshëm”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Kjo qeveri, theksojnë nga atje, ka zgjedhur të udhëheqë me propagandë dhe jo me veprime, duke e lënë vendin në krizë të thellë dhe duke manipuluar opinionin me tema të parëndësishme./Telegrafi/
The post BDI: Deri sa qeveria defokuson me stemën, vendi po shkon drejt izolimit appeared first on Telegrafi.