Banka Popullore rritë normat e interesit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Banka Popullore po merr masa ndaj rritjes së inflacionit. Sot, në seancën e Komisionit të Politikës Monetare Operative pranë Bankës Popullore u vendos për rritjen e normës së interesit për bonot e BQK-së për 0.25 pikë përqindjeje, përcjell TV21. Deri më tani, norma e interesit për bonot e BQK-së, gjegjësisht norma bazë e interesit ishte 1.25 pikë përqindjeje, ndërsa me vendimin e ri do të jetë 1.5 për qind.

“Gjatë marrjes së këtij vendimi në fokus kanë qenë zhvillimet më të fundit në inflacion dhe pritjet rreth inflacionit. Ndryshe, shuma e ofertës së bonove BQK në ankandin e sotëm është e pandryshuar, gjegjësisht 10 miliardë denarë”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.

Po vazhdon edhe përshpejtimi i inflacionit, gjegjësisht Banka Popullore njofton se në mars të vitit 2022 inflacioni ka arritur normë vjetore prej 8.8 për qind. Nga Banka Popullore thotë se faktorët kryesorë për ngritjen e çmimeve vijnë kryesisht nga ana e ofertës, respektivisht çmimet e energjisë dhe produkteve ushqimore, për shkak të rritjes së çmimeve të importit.

Nga ky institucion bëjnë me dije se rezervat devizore po lëvizin në zonën e sigurt.

Advertisement

“Duke marrë parasysh strategjinë për kurs të qëndrueshëm të denarit, gjatë marrjes së vendimeve monetare, merren parasysh kushtet në tregun devizor dhe ndikimi i tyre në rezervat devizore. Pas presionit fillestar në tregun valutor, i cili zakonisht ndodh në të gjitha krizat, dhe i cili u nxit kryesisht nga spekulimet e pabaza për kursin e këmbimit, presionet janë ulur gradualisht dhe kryesisht janë ndërlidhur me rritjen e kërkesës nga sektori energjetik, ndërsa oferta nga këmbimoret është rritur në mënyrë solide, duke tejkaluar nivelin para pandemisë”, thonë nga Banka Popullore.

Banka Popullore thotë se nga aspekti i zhvillimeve në sektorin monetar, sipas të dhënave paraprake për muajin mars 2022, rritja vjetore e kredive është ende solide dhe është mbi atë që është parashikuar për tremujorin e parë të vitit 2022, sipas projeksionit të tetorit, me pak më tepër rritje të depozitave nga ajo çfarë është parashikuar.

Në njoftim, Banka qendrore thekson se po ndjek me kujdes pasigurinë dhe rreziqet që janë krijuar në ekonomi dhe financa nga përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike dhe se janë të gatshëm që me kohë të marrin masa që të ruajnë stabilitetin e çmimeve.

“Është në proces përgatitja e ciklit të ri të projeksioneve makroekonomike, në kuadër të të cilit do të bëhet një rivlerësim gjithëpërfshirës i tablosë makroekonomike dhe qëndrimit të politikës monetare. Nëse vlerësohet se ka nevojë, Banka qendrore do të reagojë me të gjitha mjetet në dispozicion për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe makroekonomisë”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.

Advertisement

The post Banka Popullore rritë normat e interesit appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy