Kryetari i Komunës së Likovës Erkan Arifi, dhe ai i Komunës së Haraçinës Ridvan Ibraimi, sot në konferencë për shtyp akuzuan ministrin e Politikës Sociale, Fatmir Limani, se i mban peng fillimin e funksionimit të çerdheve “Valbona Zimberi 2001” në fshatin Mateç dhe hapjen e çerdhes së parë në nivel të Komunës së Haraçinës me kapacitet me mbi 220 fëmijë.
Ata thanë se Limani këtë e bënë për arsye politike, ndërsa thanë se ka lejuar funksionimin e çerdheve në Tetovë dhe Çair, të cilat kanë qenë me kushtet të njëjta si ato në Haraçinë dhe Likovë.
“Ministri palegjitimitet, Fatmir Limani, për muaj të tërë, për arsye të ulëta politike po mbanë peng hapjen e çerdhes së parë në nivel të Komunës së Haraçinës dhe fillimin e funksionimit të çerdhes “Valbona 2001″ në f.Mateç te Komunës se Likovës. Paramendoni, objektet e çerdheve në këto dy komuna, Haracinë dhe Likovë, janë të gatshme për të pranuar fëmijët e moshave parashkollore në hapësirat e tyre, të gjitha procedurat teknike dhe administrative janë të përfunduara, e vetmja gjë e cila pengon hapjen e dyerve të këtyre objekteve të dedikuara për më të vegjëlit, është mos dëshira e këtij personi, që të procesojë pëlqimet për punësim të kuadrit të nevojshëm, pëlqime këto vetëm se të dhëna nga Ministria e Financave tani më disa javë më parë. Përsëris , Ministria e Financave qe disa javë ka dhënë pëlqimet”.
“Informojmë opinionin e gjerë, se pavarësisht se administrata komunale disa herë ka korrigjuar tabelaret e kthyera nga Ministria, në kohë sa më të shkurtë kemi korrigjuar sipas kërkesës dhe për të njëjtat është dhënë pëlqim nga Ministria e Financave, mirëpo Ministri jolegjitim, Fatmir Limani ka vendosur pa asnjë shpjegim apo arsyetim ti bllokoj pëlqimet në sirtaret e tij, duke mos i lëshuar në procesim dhe njëherit bllokon punësimet të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e çerdheve”.
“Për ta konstatuar se ministri jolegjitim Fatmir Limani ka vepruar në bazë të inateve dhe frustrimeve politike, në të njëjtën procedurë, identike , kanë qenë edhe çerdhet nëkomunat e Çairit dhe Tetovës, për të cilat më janë lëshuar pëlqimet. Nuk ka asnjë dallim në situatën faktike, asnjë”, tha Arifi./Telegrafi/
The post Arifi dhe Ibraimi: Ministri Fatmir Limani bllokon hapjen e çerdheve në Haraçinë dhe Likovë për arsye politike appeared first on Telegrafi.