
Personeli i Gjinekologjisë dhe Akusherisë “Nënë Tereza” – Çair u drejtua me një letër publike për siç thonë, në lidhje me praktikat diskriminuese, mobbing-un institucional dhe shkeljet e rënda etike në institucionin shëndetësor ku ata punojnë. Ata thonë se nuk po u lejohet të shprehin pakënaqësitë e tyre, që nga ana e udhëhe1ësve të spitalit po ngjallet frikë te të punësuarit ndërkohë që thane se, ka edhe favorizime të grupeve të caktuara dhe se kolektivi ndahet në linja partiake dhe etnike.
Nga personeli i Gjinekologjisë dhe Akusherisë thonë se, mjekëve shqiptarë u kufizohet numri i operacioneve deri në dy, ndërsa mjekët maqedonas kryejnë deri në shtatë operacione. Ata kërkuan hetim të pavarur nga institucionet përkatëse për të gjitha pretendimet tyre që siç thonë, kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi.
Më poshtë e keni reagimin e personelit të Gjinekologjisë dhe Akusherisë në Çair:
“Ne, personeli shëndetësor dhe mbështetës i këtij institucioni, jemi të detyruar t’i drejtohemi publikut dhe autoriteteve përgjegjëse me këtë ankesë të fuqishme dhe të argumentuar, për të denoncuar një sërë shkeljesh të rënda që rrezikojnë integritetin profesional, moral dhe etik të punës sonë. Në një kohë kur shëndetësia duhet të jetë shembull i transparencës, drejtësisë dhe barazisë, jemi dëshmitarë të veprimeve të turpshme që e minojnë këtë mision të shenjtë. Ne nuk do të heshtim.
1. Mobing institucional dhe shtypja e lirisë së shprehjes
Diskutim i ndaluar i pakënaqësive dhe shqetësimeve gjatë mbledhjeve të mëngjesit, duke imponuar heshtje dhe frikë mes stafit. Ushtrimi i presionit të vazhdueshëm psikologjik ndaj atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe. Pyetja që ngrihet: Në çfarë institucioni shëndetësor ndodh që zëri i profesionistëve të shuhet sistematikisht?
2. Diskriminim etnik dhe partiak
Kolektivi ndahet në linja partiake dhe etnike, duke favorizuar një grup të caktuar mbi tjetrin. Shkelje flagrante të barazisë profesionale: Mjekët shqiptarë kufizohen në maksimum dy operacione në ditë, ndërsa mjekët maqedonas realizojnë deri në shtatë. Kjo nuk është vetëm e papranueshme, por e dënueshme!
3. Trajtim i paetik dhe diskriminues ndaj pacientëve
Pacientëve u komunikohet në mënyrë të turpshme se janë caktuar për trajtim nga mjekët e “opozitës”, duke i vënë në pozitë të vështirë me pyetje të tilla si:
“Kush ju ka dërguar te ky mjek?”
“Pse po kontrolloheni te ai?”
“A dëshironi të ju caktojmë një mjek tjetër?”
Si mund të flasim për etikë mjekësore kur pacienti përdoret si mjet për të etiketuar mjekët?
4. Degradim i personelit me përvojë – shkatërrim i kapitalit njerëzor
Personeli me përvojë shumëvjeçare, që ka dhënë kontribut të çmuar për institucionin, degradohet në reparte të papërshtatshme, duke u detyruar të kryejë detyra si përgatitja e formulave të qumështit dhe pastrimi i shisheve për bebe. A është ky respekti që meriton përvoja dhe përkushtimi shumëvjeçar?
5. Prekje e denjimit moral dhe profesional
Drejtuesit e institucionit përdorin media dhe kanale të tjera për të diskredituar publikisht anëtarët e stafit që shprehin mendime të kundërta. Shembulli më i fundit është fushata e paprecedentë dhe denigruese kundër drejtoreshës së Gjinekologjisë së Çairit, Dr. Pranvera Yzeiri, përmes shpërndarjes së lajmeve sensacionale dhe të pabazuara.
Kërkesat tona janë të qarta dhe të padiskutueshme:
Ndërprerje e menjëhershme e të gjitha praktikave diskriminuese dhe shkeljeve të përmendura. Hetim i pavarur nga institucionet përkatëse për të gjitha pretendimet tona. Rivendosje e menjëhershme e dinjitetit profesional të personelit të degraduar. Zbatim i rreptë i standardeve etike dhe profesionale në trajtimin e pacientëve dhe stafit.
Përfundimisht:
Ky institucion nuk mund të vazhdojë të funksionojë si një arenë për përçarje etnike, hakmarrje personale dhe shkelje të dinjitetit njerëzor. Ne jemi këtu për të shërbyer pacientëve, jo për të ushqyer interesat personale dhe grupore të individëve të caktuar. Ne kërkojmë drejtësi. Ne kërkojmë përgjegjësi. Dhe ne nuk do të heshtim”, thuhet në letrën publike të personelit të Gjinekologjisë dhe Akusherisë “Nënë Tereza” – Çair./TV21/
The post Ankohet personeli i Gjinekologjisë në Çair: Po na rrezikohet integriteti profesional, moral dhe etik i punës sonë appeared first on Telegrafi.