Në debatin e ashpër se kur duhet të mbahen zgjedhjet, partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë dale me vlerësime fillestare se cila, sipas tyre, do të ishte data, ose periudha më e përshtatshme kohore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, që duhej të mbahen më 12 prill por u prolonguan shkaku i epidemisë.
Koalicioni ASH-AAA preferon 26 korrikun, si datë me rrezik më të vogël potencial për votuesit nga koronavirusi. LSDM preferon 21 qershorin, por shprehet e gatshme për datë kompromisi deri në fillim të korrikut. VMRO-DPMNE kërkon datë në fund të gushtit, ose në fillim të shtatorit, madje edhe me kusht që t’i bojkotojë zgjedhjet nëse mbahen në qershor.
Për dallim prej tyre, BDI mban një qëndrim abstrakt dhe të padefinuar, që zgjedhjet të mbahen kur mos të rrezikohet shëndeti i qytetarëve. Në fakt ky nuk është qëndrim politik, por është logjikë e shëndoshë që nuk e konteston askush. Vetëm një subjekt brenda të cilit nuk mbretëron logjika e shëndoshë, mund të mendojë se ky është qëndrim politik ose partiak, vlerëson analisti Fejzi Hajdari.
Sipas tij, BDI në fund do të pranojë datën që e kërkon partia maqedonase që posedon më tepër materiale kompromiteuese.
“Kjo parti blen kohë për të matur pulsin e partive maqedonase me të cilat ka bashkëqeverisur, se cila prej tyre ka më shumë materiale në disponim për t’i shantazhuar. Mendoj se dalngadalë qëndrimi i BDI-së lidhur me datën e zgjedhjeve, do të konkretizohet dhe do të afrohet me qëndrimin e partisë maqedonase që posedon më shumë materiale kompromituese për udhëheqësit e saj (sipas meje nuk diskutohet që të dy partitë posedojnë materiale të tilla, por dilema është se cila ka materiale më komprometuese)”, shkruan Hajdari, duke shtar se pa marë parasysh se cila datë do të caktohet, BDI do të thotë “ja u bë siç tha Ali Ahmeti”.
Analisti Qenan Aliu lë të kuptohet se për momentin BDI ka raporte më të afërta me VMRO-DPMNE-në.
“Kush kupton nga politika, i bie në fije se Vmro-Dpmne dhe Bdi janë në sinkron me gjuhë politike ESPERANTO!”, ka vlerësuar Aliu.
Analistët rikujtojnë se BDI në vitin 2014 kundërshtoi fillimisht idenë e Nikolla Gruevskit për zgjedhje të shpejta, duke preferuar “zgjidhje e jo zgjedhje”, por kur u bëri presion VMRO-DPMNE-ja, atëherë dolën vetë me kërkesë që zgjedhjet të mbahen pikërisht atëherë kur i konvenonte Gruevskit. Prandaj tani nuk shpejton me ndonjë datë konkrete që të mos gjindet në të njëjtën pozitë si në vitin 2014.