Alsat jo zyrtarisht mëson se kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev gjatë ditës ka zhvilluar biseda telefonike me liderët politik dhe partnerët e koalicionit qeveritar dhe atyre parazgjedhor. 5 korriku mësohet të jetë propozimi i fundit i partisë në pushtet si datë për zgjedhje. Me këtë LSDM-ja dhe partnerët e koalicionit synojnë që si fillim KSHZ-së t’i jepen 35 ditë për përgatitjen e procesit zgjedhorë dhe të plotësojnë kërkesën e VMRO-DPMNE-së e cila është kundër zgjedhjeve në qershor.
Lidhur me dilemat juridike se si do të caktohet data e re zgjedhjeve, mësohet se kryetari i Kuvendit do ta ndryshojë vendimin për zgjedhje më 12 prill me datën e dakorduar, përmes ndryshimit dhe plotësimit të dokumentit administrativ. Gjendja e jashtëzakonshme e cila skadon më 30 maj nuk do të vazhdohet. Qeveria do të kthehet në formatin teknik. Por është me rëndësi që data e zgjedhjeve të caktohet para 30 majit me qëllim që nga 31 maji të nisë rrjedhja e afateve për zgjedhje.
Ky do të jetë propozimi i fundit i pushtetit për opozitën. Në rast se VMRO-DPMNE-ja mohon që 5 korriku të jetë datë për zgjedhjet, atëherë partitë politike do të marrin qëndrim të unifikuar për zgjedhje pa opozitën maqedonase.
Se zgjedhje mund të mbahen në korrik, këtë e ngriti si dyshim edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Deklarata e tij se Maqedonia e Veriut mban zgjedhje në korrik erdhi pak ditë pas bisedës telefonike që Kurti kishte me kryeministrin teknik Oliver Spasovski.