Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, sot në konferencë për shtyp ka raportuar për punën e tij në 100 ditët e para që nga marrja e pozitës si ministër.
Ai tha se fjalët kryesore të 100 ditëve të para janë digjitalizimi, reformat në administratë dhe liria e mediave.
“Në këto 100 ditë, arritëm të lançojmë iniciativën më të re të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, dhe kjo është ,,EraDigjitale”- program, i cili rrënjësisht e ka ndryshuar mënyrën se si qytetarët i marrin shërbimet publike. Duke ofruar shërbime më të shpejta elektronike dhe duke rritur transparencën institucionale, ne kemi reduktuar kohën për qytetarët në procesin gjatë marrjes së shërbimeve kryesore publike. Gjithashtu, i kemi prioritizuar nevojat e qytetarëve tanë me aftësi të kufizuara, duke u siguruar atyre që ta kenë të përmirësuar qasjen në infrastrukturën digjitale dhe të kenë shërbimin me përparësi në sportelet e administratës publike. Nëpërmjet kësaj iniciative, kemi për qëllim që të lehtësojmë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe të gjithë qytetarëve, duke promovuar inkluzivitetin dhe efikasitetin në punë”, tha ministri Aliu.
Ai gjithashtu theksoi se po punohet në Krijimin e Agjencisë Digjitale – e cila do të fokusohet në inkluzionin digjital, shërbimet publike digjitale, me ç’rast do të përmirësohet ekonomia e vendit, transparenca dhe llogaridhënien e institucioneve.
“Procesi i hartimit të Strategjive të TIK-ut dhe të Sigurisë Kibernetike, zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar. Në 100 ditët e kaluara, jemi dëshmitarë për rritjen e numrit të shërbimeve digjitale të platformës nacionale, me premtimin e digjitalizimit të më tepër se 150 shërbimeve të reja elektroniek deri në fund të vitit. Kjo arritje, u siguron qytetarëve të kenë qasje më të lehtë në shërbime, pa vonesa të panevojshme ose endje që të zvarriten nëpër proceset e rënda burokratike”, theksoi ministri, duke plotësuar dhe se Portali Kombëtar tani u ofron qytetarëve edhe shërbime elektroniek në gjuhën shqipe.
Projekt tjetër që theksoi ministri, është edhe krijimi i “Një Pikë Shërbimi” në 333 lokacione në mbarë vendin, në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/
The post Aliu për 100 ditët e para si ministër: Fjalët kryesore janë digjitalizimi, reformat në administratë dhe liria e mediave appeared first on Telegrafi.