Ali Ahmeti: Zaev t’u kërkojë falje shqiptarëve, kureshtar të dëgjoj kundërshtitë për propozimin tonë për kryeministër

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti foli për Euronews Albania rreth mundësive për të bashkuar faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve të 15 korrikut dhe për koalicionin e mundshëm me LSDM-në.

Ahmeti i tha gazetares Esmeralda Mulaj, se arsyeja kryesore se përse pati përkrahje në zgjedhejt e 15 korrikut, ishte propozimi i BDI-së për kryeministër shqiptar, që sipas tij 70-80 për qind e shqiptarëve e mbështesin.

Ai rikujtoi se asnjë etni nuk ka ekskluzivitet të drejtimit të Maqedonisë së Veriut dhe se është plotësisht e drejtë që vendi të udhëhiqet edhe nga një shqiptar, që nga BDI-ja është kandiduar Naser Ziberi. Ahmeti mori si shembull drejtimin e parlamentit nga Talat Xhaferri, duke treguar integritet.

Gazetarja Esmeralda Mulaj e pyeti Ahmetin rreth deklaratës se ai do të bisedonte edhe me kryetarët e partive të tjera shqiptare për të realizuar më mirë idenë për një kryeministër shqiptar, ai tha se priste që të zhvillonte takime ditët e ardhshme.

Advertisement

“Është shumë me rëndësi që partitë shqiptare të takohen, të bashkëkoordinohen, unë jam optimist duke parë dhe deklaratat e tyre që ne si shqiptarë duhet të kemi parasysh që çështjet substanciale që kanë të bëjnë drejt për drejtë me shqiptarët të arrijmë dakordësi, por jo që të organizohemi për t’iu kundërvënë palës tjetër sepse kjo nuk do të ishte mirë as për vendin, as për çështjet madhore për të cilat përballemi, nuk do të bëjmë politika revanshiste apo për përplasje të reja, na intereson që proceset të ecin përpara, të kemi fillim të mbarë për anëtarësim në BE dhe pikërisht këto janë temat mbi të cilat duhet të koordinohemi,” – tha Ahmeti duke theksuar se duhet krijuar klima e afrimit mes komuniteteve etnike pasi “fatet e RMV-së varen nga komunikimi dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe maqedonasve”.

I pyetur rreth etiketimeve përçmuese nga Zoran Zaev ndaj shqiptarëve të bëra publike në disa përgjime të rrjedhura, Ahmeti tha se nuk ishte ndjerë mirë dhe priste që ai të kërkonte ndjesë.

“Natyrisht nuk u ndjeva mirë me ato fyerje… mirëpo mendoj se Zaev do të gjejë forcë për t’i kërkuar falje shqiptarëve. Ai e bëri një hap, por jo hapi i duhur, ai atë ofendim e arsyetoi se gjoja e ka patur për BDI-në, por aty nuk kishte të bënte me BDI-në, por direkt me shqiptarët dhe mendoj se Zaev duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve,” – u shpreh Ahmeti.

Përballë këmbënguljes nga gazetarja Esmeralda Mulaj nëse do të pranonte koalicionin me LSDM-në edhe pas këtij ofendimi, kryetari i BDI-së tha se “do t’i luste anëtarët e partisë së tij ta falnin nëse ofendimi ka qenë ndaj BDI-së dhe jo ndaj shqiptarëve në tërësi”.

Advertisement

“Unë do e falja dhe do t’i lusja anëtarët e BDI-së që ta falin (Zaevin) nëse ofendimi ka të bëjë me BDI-në, por nuk ka të bëjë me BDI-në, por me shqiptarët si komb, kështu që mendoj se bashkëpunëtorët e tij dijnë ta mësojnë që ai duhet të kërkojë një falje për të lehtësuar dhe komunikimin e mëtejshëm, ne s’kemi asgjë me LSDM-në, unë disa herë e kam theksuar se në dobi tonën do të ishte që të fitonte partneri i koalicionit aktual (LSMD-ja) sepse patëm bërë shumë punë të mëdha dhe kemi ende punë për të bërë, e mos t’i lëmë gjërat përgjysmë,” – u shpreh Ahmeti pa pranuar direkt nëse ishte duke diskutuar për një koalicion tjetër me LSDM-në.

Kryetari i BDI-së u shpreh më tej se nuk do të jetë i hapur për të bërë kompromis për sa i përket synimit për të bërë Naser Ziberin kryeministër, çka do ta bënte atë kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut.

“Jam kureshtar të dëgjoj oponentët, apo ata me të cilët do të ulemi në tavolinë… arsyet kush do jenë së paku një apo dy arsye të qëndrueshme që ne të mendojmë për kompromis, momentalisht nuk ka asnjë hapësirë që ne të fillojmë të mendojmë për kompromise të tilla, kompromis mbi kompromis nuk bëhet,” – u shpreh Ahmeti.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, BDI mori rreth 11.5 për qind të votave duke siguruar 15 deputetë, ndërkohë që në total të gjitha partitë shqiptare mundën të siguronin 32 deputetë duke u bërë seriozisht faktorë kryesor në stabilitetin politik të RMV-së dhe ndikues në formimin e qeverisë së ardhshme.

Advertisement

LSDM e Zoran Zaev, fitoi 36% të votave duke siguruar 46 deputetë, ndërsa OBRM-PDUKM 34.7% të votave me 44 deputetë. /EuroNews/

The post Ali Ahmeti: Zaev t’u kërkojë falje shqiptarëve, kureshtar të dëgjoj kundërshtitë për propozimin tonë për kryeministër appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy