Sot Aleanca për Shqiptarët ka pasur një aksion te Avokati i Popullit për ta shprehur, siç thonë ata, pa pajtueshmërinë dhe revoltën në lidhje me zgjidhjen e Naser Zyberit.
“Fatkeqësisht, para disa ditëve, në mënyrë shumë dinake në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, vetëm me 61 vota të pozitës dhe pa pajtimin e opozitës, Naser Zyberi u zgjodh Avokat i Popullit. Rikujtojmë që Naser Zyberi, përveç që ka qenë aktivist dhe funksionar politik e partiak, në zgjedhjet e fundit ishte edhe kandidat për Kryeministër shteti nga BDI, nga partia e cila sot është në qeveri, e kundrejt të cilës Naseri Zyberi do të duhet t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve”, thonë nga ASH.
Sipas ASH-së, kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Avokatin e Popullit.
“Është fakt që Naser Zyberi nuk është i pavarur dhe i mëvetësishëm, prandaj ai nuk do të mund t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve karshi pushtetit, që do të thotë ai nuk është dhe nuk mund të jetë Avokat i Popullit. Ne sot, në ditën e inaugurimit të tij, në mënyrë simbolike kemi vendosur që zyrën e Avokatit të Popullit ta riemërojmë ashtu siç e Meriton në të vërtetë kjo zyrë dhe do të jetë zyra e Avokatit të Qeverisë/BDI-së. Në këtë drejtim, bëjmë thirrje tek të gjitha institucionet e Bashkimit Europian dhe ambasadat e vendeve mike, që publikisht të dënojnë këtë akt të kapjes së institucioneve shtetërore, i cili jo vetëm që është në kundërshtim me Ligjin për Avokatin e Popullit, por edhe me Principet e Venecias për Avokatin e Popullit”, tha mes tjerash përfaqësuesja e ASH-së./Telegrafi/
The post Aleanca për Shqiptarët me aksion te Avokati i Popullit appeared first on Telegrafi.