Gjashtë akuza për terrorizëm dhe organizatë terroriste si dhe dy akuza për trafikim më armë është epilogu i aksionit policorë anti-terror i realizuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Prokuroria Publike pas 6 muajsh i ndjek për terrorizëm gjashtë persona, ndërsa dy të tjerët për veprën trafikim dhe përpunim i armëve dhe mjeteve shpërthyese. Organi akuzës konsideron se grupi i dyshuar për terrorizëm ka qenë i organizuar dhe udhëhequr nga B.A. nga Kumanova i arrestuar më 31 gusht vitin e kaluar.
“Të akuzuarit kishin detyra të konkrete: B.F dhe B.G kanë marrë urdhra konkret nga B.A të cilit i kanë siguruar mbështetje logjistike dhe bashkërisht me tre të akuzuarit e parë kanë pasur për detyrë të gjejnë veturë me të cilin do të kryejnë transport dhe objekte ku do të mbahet armatimi, municioni, pajisjet ushtarake dhe të përpunojnë eksplozivë të improvizuar. Gjithashtu kanë mbledhur informacione dhe kanë observuar lokacione dhe objekte”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Prokuroria dyshon se në mesin e të akuzuarve ka pasur edhe persona që janë marrë ekskluzivisht me strategjinë se si të ndikojnë në opinion.
“I akuzuari J.K ka mbledhur, redaktuar dhe titruar përkthime nga gjuha arabe në gjuhën shqipe, video incizime nga luftimet në Siri dhe Irak dhe sulmet e kryera terroriste në Francë dhe Spanjë, përfshi edhe incizime të cilat shpjegojnë përpunimin e mjeteve shpërthyese, sulme ndaj njerëzve, shfrytëzimin e sigurt të aplikacioneve për komunikim në internet, dekapitimin (heqjen e kokave) të viktimave të ISIS përmes të cilave metoda i ka tërhequr audiencë të madhe në përmbajtje të tilla radikale”, thonë nga Prokuroria Publike.
Për gjashtë të akuzuar është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa dy të tjerë janë kushtëzuar me arrest shtëpiak. Pas aksionit të dhjetorit policia kishte informuar se të dyshuarit kishin për qëllim kryerjen e sulmeve terroriste në disa lokacione të njohura në Kumanovë, duke përfshi në dosjen e tyre penale edhe alarmet e rrejshme për sulme terroriste në Tregun e Qytetit në Kumanovë, pak ditë pas sulmit terroristë në Vjenë të Austrisë. Paraprakisht më 31 gusht ishin arrestuar tre persona, dy prej të cilëve kishin vuajtur dënim me burg paraprakisht pas arrestimit në flagrancë nga policia turke në tentativë për t’u bashkuar formacioneve luftarake në një shtet të lindjes së mesme./Alsat/
The post Akuza për grupin nga Shkupi e Kumanova, të dyshuar për terrorizëm appeared first on Telegrafi.