Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot në selinë e partisë në Tetovë takoi ambasadorin e Republikës së Kosovës, Gjergj Dedaj.
Ahmeti gjatë takimit njoftoi ambasadorin Dedaj me situatën aktuale në vend si dhe shqyrtuan ngjarjet e rëndësishme që prekin të dyja vendet.
Siç njoftojnë nga BDI, Ali Ahmeti gjatë takimit me ambasadorin e Kosovës Dedaj diskutuan edhe për rrjedhën e bisedimeve për formimin e shumicës parlamentare dhe me këtë dhe të Qeverisë së re. Ahmeti tha se në këtë garniturë qeveritare, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë faktorizuar akoma më shumë.
“Ahmeti e përgëzoi Gjergj Dedaj për marrëveshjen e arritur në Uashington mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ahmeti këtë marrëveshje e cilësoi si të mirë dhe në dobi të shqiptarëve të Kosovës pasi që ajo është dhe një hap para drejt marrëveshjes finale, njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve”.
“Kryetari Ahmeti gjithashtu njoftoi Dedaj se shumë shpejtë do të tejkalohet problemi me qytetarët e Kosovës të cilët kalojnë tranzit nëpër Maqedoni të Veriut apo shfrytëzojnë aeroportin e Shkupit dhe atë të Ohrit për t’u kthyer në vendlindje”, thuhet në njoftimin e BDI-së./Telegrafi/
The post Ahmeti në takim me Dedajn: Shqiptarët janë faktorizuar akoma më shumë appeared first on Telegrafi.