“Sot që nga mëngjesi ka paqëndrueshmëri të motit në viset perëndimore të vendit, fillimisht në rajonin Ohër-Prespë, e më pas është zhvilluar një linjë intensive e destabilitetit dhe në rajonin e Pollogut, deri në Pellagoni. Shfaqje të shiut të rrëmbyeshëm, vetëtima si dhe paraqitje e breshërit në Pollog”, njoftoi Administrata Hidrometeorologjike (AHM).
Informatat thonë dëmet më të mëdha janë regjistruar në Lozovë, ndërsa në Tetovë pothuajse janë përmbytur shumë rrugë, nënkalime, oborre si dhe bodrumet e disa shtëpive.
Qendra Rajonale për Menaxhimin e Krizave – Tetovë me disa nga punëtorët e saj është në terren dhe ka inicuar përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kryetarin e Komunës së Tetovës, duke thirrur Shtabin e Përgjithshëm lokal për menaxhim me kriza të Komunës së Tetovës.
Ndryshe, Njësiti Territorial Zjarrfikës në Tetovë si dhe pjesëtarë të MPB-së për rregullimin e komunikacionit, aktualisht janë në terren me pompa për të pompuar ujin nga vendet kritike dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Aktualisht një pjesë e paqëndrueshme me vranësira mbulon pjesët perëndimore të Shkupit, ku priten edhe reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima, ndërsa në afat të shkurtër është e mundur të ketë edhe breshër dhe erë të fortë.
The post AHM: Rajoni i Pollogut ka pësuar disa dëme nga moti i keq, ekipet po punojnë në terren appeared first on Telegrafi.