Për të nëntin vit me radhë shoqata humanitare “Agimi i bamirësisë” është duke organizuar “Sofrën e Ramazanit”. Për çdo ditë po ndahen mbi 700 iftare falas. Iftaret ndahen për disa kategori, por një numër i madh shkon për studentët që janë duke qëndruar në Tetovë në kohë pandemie. Visar Xhaferi thotë në Tetovë ku janë dy universitete dhe në kohë pandemie, një akt i këtillë është më se i nevojshëm. Sipas tij numri i nevojtarëve është rritur dhe nevoja për më shumë iftare falas është shtuar.
“Normal që numri është rritur këtë vit, ku këto pesë ditë sa ka filluar dhe ramazani, mesatarisht nëse e marrim kemi 500 iftare në ditë ku vetëm ditën e fundit kishim mbi 700 iftare dhe normalisht edhe ajo që e ka shtuar nevojën dhe që janë shtuar iftaret është edhe pandemia”, tregon Xhaferi.
Shpërndarja e ushqimit behët në dy pika me qëllim që të respektohen rekomandimet e qeverisë për pandeminë.
“Nevojtarët që kanë drekuar edhe para ramazanit vinë edhe marrin ushqim këtu me një pikë të veçantë, ndërsa pika tjetër e shpërndarjes është ajo e studentëve ku vinë vetëm ata e marrin. Momentalisht kemi mbi 400 iftare, ku 15 aktivistë i shpërndajnë nëpër shtëpia vetëm e vetëm që të mundohemi tu përmbahemi rrethanave të pandemisë që të mos kemi grumbullim njerëzish”, shtoi ai.
Shoqata “Agimi i Bamirësisë” financohet nga mërgata dhe kompanitë vendore, por edhe nga personat që për shkaqe shëndetësore nuk mund të agjërojnë edhe ata paguajnë 150 denarë për një iftar që u shpërndahet nevojtarëve.
The post “Agimi i Bamirësisë” kujdeset për studentët dhe nevojtarët në Tetovë duke ju shtruar qindra iftare çdo ditë appeared first on Telegrafi.