
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi ka komentuar deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski.
Ademi thotë se për vetë faktin që kryeministri problematizon çështjen se një ministër shqiptar qenka në grupin negociator në emër të shtetit, tregon se ai ka ideologji të rrezikshme ndaj shqiptarëve.
Ademi e ka quajtur politikën e kryeministrit, me dy standarde.
Reagimi i plotë:
Deklarata e sotme e Kryeministrit është një nga më përçarëset dhe më antishtetëroret që është bërë ndonjëherë nga një udhëheqës qeveritar.
Të problematizosh faktin që një shqiptar, si ministër, ka qenë pjesë e ekipit negociator në emër të shtetit – është të mohosh legjitimitetin e përfaqësimit shqiptar në shtet.
Dhe ajo që e bën këtë deklaratë edhe më skandaloze, është se nuk përmendet fare që në të njëjtin ekip ka qenë edhe një përfaqësues i komunitetit serb – madje në pozitë më të lartë, Bojan Mariçiq, zëvendësKryeministër.
Pra, problemi i Kryeministrit nuk është përfaqësimi në vetvete, por fakti që përfaqësuesi ishte shqiptar.
Kjo tregon një obsesion të rrezikshëm politik dhe ideologjik ndaj shqiptarëve.
Ky është standard i dyfishtë, përjashtues dhe thellësisht i padrejtë. Shqiptarët nuk janë të huaj në këtë shtet. Ata janë pjesë e pandashme e tij dhe kanë të drejtë të përfaqësohen denjësisht në çdo proces shtetëror.
The post Ademi: Për Mickoskin është problematike se përse një ministër shqiptar qenka në grupin negociator në emër të shtetit, kjo është politikë përjashtuese ndaj shqiptarëve appeared first on Telegrafi.