Në aksidentin e djeshëm në afërsi të Marvincës, në rrugën Gjevgjeli-Demir Kapi, 24 emigrantë kanë mbetur të lënduar, ndërsa dy të tjerë me lëndime më të rënda janë dërguar në spital për kurim më të specializuar.
Aksidenti ka ndodhur dje rreth orës 18:00 në rrugën rajonale Gjevgjeli-Demir Kapi, pasi një kamion me 49 emigrantë ka dalë nga rruga, por për fat pa pasoja tragjike. Shoferi i kamionit në momentin e aksidentin ka braktisur automjetin me personat e lënduar në brendësi të tij dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në ofrimin e kujdesit shëndetësor për të lënduarit më rëndë kanë ardhur në ndihmë ekipet e emergjencës nga Gjevgjelia, Vallandova, Kavadari dhe Negotina.
“Pas orës 19:00 në Spitalin e Përgjithshëm të Gjevgjelisë disa herë janë sjellë persona të lënduar në aksident trafiku. Ata janë hospitalizuar në Repartin e kirurgjisë. Janë trajtuar gjithsej 24 persona, me lëndime të llojeve të ndryshme. Pas kontrolleve, radiografive dhe ekzaminimeve të tjera është konstatuar se 22 persona kanë marrë lëndime të lehta. Dy persona me lëndime të rënda janë dërguar në Qendrën Klinike urgjente në Shkup. Një person me lëndime në gjoks është mbajtur aty, ndërsa personi tjetër me lëndime të vertebrës torakale është kthyer në spitalin e Gjevgjelisë, me rekomandim për trajtim të mëtutjeshëm spitalor në Repartin e kirurgjisë”, tha dr.Mitko Kërxhov, drejtor i Spitalit të përgjithshëm të Gjevgjelisë.
Zyrtarisht, nga të dhënat e para, emigrantët rezultojnë të jenë nga Siria. Policia njoftoi se po merren të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë.
The post 24 emigrantë të lënduar në aksidentin e djeshëm në rrugën Gjevgjeli – Demir Kapi appeared first on Telegrafi.