Rusia thotë se duhet të jetë e gatshme të përgjigjet nëse Bashkimi Evropian vendos sanksione të ashpra mbi të për arrestimin dhe burgosjen e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny.
Duke folur para gazetarëve të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska duhet të jetë e përgatitur të zëvendësojë çdo pjesë të infrastrukturës së saj të rëndësishme me elementët e nevojshëm për t’iu kundërvënë vështirësive me të cilat Rusia do të përballet nëse ndaj saj vendosen sanksione.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në një intervistë për kanalin Soloviev Live në YouTube më herët të premten se Moska është e gatshme të ndërpresë lidhjet me Bashkimin Evropian nëse blloku prej 27 vendesh anëtare vendos sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë.
Zoti Lavrov tha se vendi i tij do të kundërpërgjigjej nëse “përsëri shohim sanksione të imponuara në disa sektorë që krijojnë rreziqe për ekonominë tonë, përfshirë në sferat më të ndjeshme”, duke shtuar se rusët “nuk duan të izolohen nga jeta globale, por duhet të jenë të gatshëm për këtë. Nëse doni paqe, atëherë përgatituni për luftë”, tha zoti Lavrov.
Sanksionet e mundshme do të jenë ndalimet e udhëtimit dhe ngrirja e pasurive të bashkëpunëtorëve të Presidentit Vladimir Putin, që mund të vendosen qysh këtë muaj pasi Franca dhe Gjermania treguan se ishin të gatshme për masa ndaj Rusisë.
Presioni për sanksione është intensifikuar pasi Moska dëboi diplomatët gjermanë, polakë dhe suedezë javën e kaluar pa informuar shefin e politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, i cili ishte në Moskë për një vizitë.
Navalni, 44 vjeç, doli përsëri përpara gjykatës të premten për shkak të pretendimeve se ka bërë një deklaratë nënçmuese për një veteran të Luftës së Dytë Botërore vitin e kaluar.
Seanca vjen pasi gjykata urdhëroi Navalnin muajin e kaluar të vuante 2 vjet e gjysmë burg nën pretekstin e shkeljes së një dënimi me kusht ndërsa po shërohej në Gjermani nga një sulm në Rusi me agjent helmues.
Ndërkohë, ka njoftime të pakonfirmuara se bashkëshortja e Navalnit, Yulia, është larguar nga Rusia për në Gjermani.
Agjencia ruse e lajmeve Interfax dhe e përditshmja gjermane Der Spiegel njoftuan për largimin e saj, duke cituar burime të paidentifikuara.
Duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, avokatët e Navalnit nuk mund të konfirmonin largimin e saj dhe thanë se nuk kishin asnjë informacion në lidhje me të./ VOA