Forcat irakiane të sigurisë kanë vrarë një komandat të lartë të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), ka njoftuar kryeministri i këtij shteti Mustafa Al-Kadhimi, një javë pasi dhjetëra persona janë vrarë dhe plagosur në një sulm me bombë nga militantët e IS-it në Bagadad.
“Forcat tona të armatosura kanë eliminuar komandantin e IS-it, Abu Yaser Al-Issawi në kuadër të një operacioni të inteligjencës”, ka thënë Kadhimi në Twitter.
Al-Issawi është vrarë në një operacion në lindje të qytetit Kirkuk, ku militantët e IS-it janë të njohur për prezencën e tyre.
Operacioni është udhëhequr nga Shërbimi irakian për Luftim të Terrorizmit, në bashkëpunim me inteligjencën irakiane.
Forcat irakiane janë përleshur me militantë të IS-it dhe al-Issawi është vrarë në përleshje, ka thënë Agjencia Kundër-terrorizmit në faqen e saj në Facebook.
Javën e kaluar, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për dy sulme vetëvrasëse, të cilat kanë lënë të vdekur të paktën 32 persona, në një treg të populluar në Bagdad.
Këto njëherësh kanë qenë sulmet e para me bomba vetëvrasëse në Irak, në tri vjetët e fundit.
Autoritetet irakiane kanë thënë se sulmi ka qenë shenjë e mundshme se grupi po rikthen sulmet e vitit 2017.
Forcat e sigurisë të këtij shteti janë përballur me presion në rritje pas sulmit të 21 janarit në Bagdad, meqë shumë kanë thënë se sulmi ka qenë dështim i inteligjencës irakiane.
“Unë jam zotuar për të ndjekur terroristët e IS-it, ne u kemi dhënë atyre përgjigje gjëmuese’, ka thënë mes tjerash al-Kadhimi./ Rel