Vriten dy gjykatëse afgane me atentat

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Vriten dy gjykatëse afgane me atentat
Zyrtarët në Afganistan njoftuan të dielën se dy gjyqtare që punonin për Gjykatën e Lartë u qëlluan për vdekje në Kabul. Ato janë viktimat e fundit në një seri atentatesh të regjistruara kohët e fundit.

Një zëdhënës i gkykatës tha se gjyqtaret po vinin në punë në mëngjes kur persona të paidentifikuar u zunë pritë dhe qëlluan në drejtim të makinës zyrtare.

Policia e kryeqytetit afgan konfirmoi se një gjyqtare e tretë dhe shoferi ishin plagosur gjatë sulmit, ndërkohë që njoftohet se janë hapur hetime.

Askush nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin e përgjakshëm. Një zëdhënës i talebanëve hodhi poshtë përfshirje të kësaj organizate në atentat.

Zyrtarët afganë thonë se aktualisht në vend ka mbi 350 gra në rolet e gjykatëseve dhe afro 400 prokorore.

Advertisement

Dhuna e së dielës është një tjetër shembull i atentateve kundër zyrtarëve, politikanëve, prokurorëve, mjekëve, gazetarëve si dhe aktivistëve të shoqërisë civile, kryesisht në Kabul dhe përreth tij.

Presidenti Ashraf Ghani e dënoi aktin dhe fajësoi talebanët si forca organizatore pas sulmeve të fundit. Duke përsëritur thirrjen për armëpushim, udhëheqësi afgan shtoi se “dhuna dhe terrorizmi” nuk janë mënyra për të zgjidhur problemet./ VOA

 

Ambasadori amerikan në detyrë Ross Wilson po ashtu i dënoi vrasjet e gjykatëseve dhe bëri thirrje për një proces hetimor serioz, duke u përqëndruar në komentet tek talebanët:

Advertisement

 

“Talebanët duhet ta kuptojnë se veprime të tilla për të cilat mbajnë përgjegjësi, revoltojnë botën. Ata duhet të ndalin, nëse duan paqen në Afganistan,” komentoi në Twitter zoti Wilson.

 

Ambasada amerikane i paralajmëroi amerikanët të dielën që të shmangin udhëtimet në Afganistan, si rezultat i shtimit të sulmeve terroriste, rrëmbimeve, akteve të dhunës dhe trazirave civile në vend.

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy