Të mendosh se një krim monstruoz e ka bërë dikush që i do shumë kafshët, kjo është diçka e vështirë, por i tillë është një lajm nga Brazili.
Ish-kapiteni i ekipit të njohur të Flamengos, Bruno Fernandez, që dikur mund të vishte dorezat e portierit të ekipit të parë të kombëtares së Brazilit, u dënua me 22 vite burg në vitin 2013 pasi pranoi se ish-e dashura e tij Eliza Samudio u vra dhe trupi i saj iu servir si ushqim një tufe qensh të llojit Rottëeilers pas urdhrave tij.
E gjitha kjo pas një zënke për të drejtat e atësisë. 35-vjeçari ka shërbyer një dënim “gjysmë-të hapur” që nga korriku i vitit 2019, duke e lejuar atë që të vazhdojë të luajë me një ekip të ligave të dobëta, dhe vazhdon jetën me gruan e tij në Rio de Janeiro.
Sot, Bruno pozon me disa qen pitbullë ku falenderon një qendër për mbrojtjen e kafshëve në zonën e tij.
“Dje pata kënaqësinë të njihem me këtë qendër për mbrojtjen e kafshëve. Dua t’i falenderoj dhe përgëzoj për punën që bëjnë dhe për kafshët e bukura që kanë këtu. Mora me vete qenin tim Booba që të luajë me miqtë e tij të rinj. Një vizitë vërtetë produktive,” shkruan ai.
Ky postim i tij është pritur me kritika nga shumë brazilianë pasi për ta është shokuese se si dikush që ka bërë një krim të tillë, lejohet të jetojë normalisht.
Ish-e dashura e tij u zhduk në vitin 2010 dhe trupi i saj nuk u gjet kurrë, pak kohë pasi hodhi në gjyq portierin. Bruno nga ana tjetër nuk pranoi kurrë që këtë krim ta kishte bërë vetë, por se miqtë e tij e kishin mbytin para se ta prisnin në copa dhe trupin e saj t’ia ushqenin qenve.