Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ka thënë se blloku mund të “nxjerrë mësime” nga marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët.
Ajo i bëri komentet para samitit të BE, i cili do të ketë në fokus emigracionin.
Në një letër drejtuar vendeve anëtare përpara takimit në Bruksel të enjten dhe të premten, ajo tha se Komisioni Evropian do të paraqiste një propozim të ri për legjislacionin për rritjen e dëbimeve të emigrantëve.
Von der Leyen, e cila sapo ka filluar mandatin e dytë pesëvjeçar si shefe e Komisionit Evropian, duket se po i përgjigjet presionit mbi migrimin nga e gjithë Evropa.
Në letrën e saj drejtuar vendeve anëtare, ajo tha se shkalla e kthimit të migrantëve të parregullt nga vendet e BE-së është aktualisht vetëm rreth 20%, që do të thotë se shumica dërrmuese e njerëzve që janë urdhëruar të largohen nga një shtet anëtar i BE-së nuk e bëjnë këtë.
Shumë emigrantë qëndrojnë në vend ose lëvizin në një vend tjetër brenda bllokut, tha ajo.
Shtetet anëtare duhet të njohin të gjitha vendimet e marra nga vendet e tjera të BE-së për të siguruar që “migrantët që kanë një vendim kthimi nuk mund të shfrytëzojnë çarjet në sistem për të shmangur kthimin diku tjetër”, shkroi Von der Leyen.
Komentet e saj vijnë pasi Italia nisi planin e saj të shumëpritur, sipas së cilës disa nga emigrantët e shpëtuar në Mesdhe do të dërgohen në Shqipëri.
Në fillim të kësaj jave, 16 burra me origjinë nga Bangladeshi dhe Egjipti u zhvendosën nga zona e emigrantëve në Lampedusa, në brigjet e Siçilisë, në një nga dy qendrat e ndërtuara me qëllim në bregdetin shqiptar, ku do të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.
Qendrat, kushtuan rreth 650 milionë euro.
Ata do të strehojnë emigrantët ndërsa Italia shqyrton kërkesat e tyre për azil. Gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat vulnerabël do të përjashtohen nga plani.