Një nga tre vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë pritet të jetë viti 2020. Kjo dekadë do të jetë më e ngrohta që nga fillimi i regjistrimeve meteorologjike, me gjashtë vitet më të ngrohta që janë regjistruar nga 2015 deri më sot, sipas raportit vjetor të Organizatës Ndërkombëtare të Meteorologjisë të Kombeve të Bashkuara. “Ky vit tashmë ka parë temperatura rekord të larta, të cilat mund të krahasohen vetëm me ato të vitit 2016. Ne mirëpresim të gjitha angazhimet e fundit nga qeveritë për të zvogëluar gazrat serë, pasi jemi akoma shumë larg arritjes së qëllimeve tona”, thasekretari i përgjithshëm i organizatës, Peteri Tolas.
Ndërkohë, shanset për një rritje të përkohshme të temperaturës mesatare të Tokës, përtej 1.5 gradë Celsius deri në 2024, janë në 20%.
Shkencëtarët parashikojnë se edhe një rritje e kufizuar e temperaturës globale do të çojë në valë nxehtësie më të shpeshta dhe më intensive dhe thatësira në shumë pjesë të botës.
Fenomene të tilla u vunë re në vitin 2020, sipas raportit. Rasti më i dukshëm u regjistrua në Siberi. Temperaturat në zonë për dhjetë muajt e parë të vitit ishin pesë gradë Celsius më të larta se mesatarja, duke shkaktuar një numër të paparë zjarresh. Në të njëjtën kohë, akulli i detit Arktik ishte në pikën e tij më të ulët në dekada. Për shembull, Groenlanda humbi 152 miliardë ton akull këtë vit.
Fatkeqësitë natyrore dhe moti ekstrem kanë bërë që 10 milion njerëz të kërkojnë strehim larg shtëpisë në gjysmën e parë të vitit, kryesisht në Azinë Jugore dhe Juglindore. Përhapja e pandemisë së koronavirusit ka shtuar pengesa të reja për evakuimin e zonave të goditura nga katastrofat dhe për operacionet e ndihmës humanitare.