Vendet e Bashkimit Evropian do të mund t’iu sigurojnë vaksina kundër COVID-19 edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor nga sasia të cilën do ta ndajë Komisioni Evropian.
Këtë e kanë thënë të enjten në mbrëmje presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas përfundimit të samitit të BE-së, të zhvilluar përmes video-lidhjes. Për shkak të masave për të ngadalësuar përhapjen e virusit, takimet e nivelit më të lartë në BE vazhdojnë të zhvillohen pa praninë fizike të pjesëmarrësve.
Koordinimi i përpjekjeve në luftën kundër pandemisë ishte tema kryesore e këtij takimi të Këshillit Evropian.
Presidentja e Komisionit, Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se pret që vaksinat e para për shitje në tregun e BE-së të marrin autorizimin përkatës në pjesën e dytë të muajit dhjetor, nëse gjithçka shkon sipas skenarit pozitiv. Ajo ka thënë se disa rezultate të testeve së fundi janë shumë premtuese.
Komisioni Evropian tashmë ka arritur marrëveshje me prodhuesit kryesorë potencial të vaksinës për qindra miliona doza të tyre. Këto do tu ndahen shteteve anëtare në të njëjtën kohë, në mënyrë të barabartë, me të njëjtat kushte. Sasia do të caktohet në bazë të numrit të banorëve. Shtetet anëtare pastaj mund të japin si donacion sasi të këtyre vaksinave vendeve tjera me të ardhura të vogla apo mesatare.
Pos përgjegjësisë që BE ndjen për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe lidhjeve përkatëse, në Bruksel si arsye për t’iu ndihmuar me vaksina është edhe ndikimi që përhapja e koronavirusit mund të ketë nga këto vende në BE dhe anasjelltas./ REL