Një nga anijet më të mëdha në botë që peshon 224 tonë, Ever Given, nga e marta vazhdon të qëndrojë e ngecur në Kanalin e Suezit.
Anija që ka gjatësi prej 400 metrash ka ngecur në formë diagonale në pjesën jugore të kanalit pas erërave të forta dhe një stuhije rëre.
Tarifat e transportit të anijeve cisternë të produkteve të naftës pothuajse u dyshishuan pasi bllokimi dëmtoi rëndë zinxhirët globalë të furnizimit.
Anija me kontejnerë “Ever Given” mbetet e bllokuar në Kanalin e Suezit për të gjashtën ditë radhazi, duke penguar qarkullimin në një nga korridoret ujore më të ngarkuara në botë.
Më shumë se 320 anije prisnin të dielën në radhë për të kaluar kanalin, disa në drejtim të Detit Mesdhe e disa tjera drejt Detit të Kuq, sipas Agjencisë “Leth” e cila menaxhon shërbimet e kanalit.
Dhjetra të tjera presin të fillojnë lundrimin drejt Kanalit, ndërsa shumë kompani po mundohen të gjejnë rrugë alternative.
Anija gjigante “Ever Given”, që transporton mallra nga Azia drejt Evropës, nga e marta ngeci në kanalin e ngushtë të krijuar nga njeriu si dalje përmes kontinentit afrikan dhe gadishullit Sinai nga Oqeani Indian për në Detin Mesdhe.
Disa ekspertë paralajmërojnë se edhe në skenarin më të mirë të mundshëm, për zhvendosjen e anijes mund të duhen të paktën 5 ditë ose një javë.
Kapiteni Nicolas Sloane, nënkryetar i Unionit Ndërkombëtar të Shpëtimit, tha se vendndodhja e anijes, madhësia e saj dhe sasia e madhe e ngarkesave e bëjnë më të ndërlikuar operacionin e zhbllokimit.
“Ajo është anija më e madhe që ka kaluar ndonjëherë në kanal dhe vendndodhja e saj e bën kalimin tejet të vështirë. Në skenarin më të keq do të duhej heqja e ngarkesës. Gjë që mund ta imagjoni, një anije e transportit përmes lumejve mund të marrë rreth 400 kontejnerë, keshtu që do të duhen rreth 300 të tilla për të zbrazur këtë anije gjigante,” tha ai.
Zoti Sloane thotë se zgjidhja ideale është përqëndrimi në pastrimin e sipërfaqes përreth dhe nën anije në mënyrë që të mundësohet lundrimi.
Autoritetet që po punojnë për rihapjen e kanalit janë në luftë me kohën thotë Kapiteni Sloane, i cili udhëhoqi përpjekjet për të shpëtuar anijen e lundrimit Costa Concordia e zhytur në vitin 2012 në Itali.
“Sa më shumë që zgjatet koha, gjendja e anijes përkeqësohet, sepse ajo vazhdon të zhytet ngadalë. Anijet janë krijuar për të qenë në lëvizje, jo për të qëndruar në atë pozicion me një ngarkesë të plotë për javë me radhë. Pra nuk është një situatë e lehtë, është mjaft sfiduese”, thotë ai.
Bllokimi i trafikut detar mund të ndikojë në dërgesat e naftës dhe gazit në Evropë nga Lindja e mesme.
Ekspertja nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, Toril Bosoni, tha se inventarët e naftës janë duke pësuar rënie, por furnizimi vazhdon të jetë i qëndrueshëm, pasi janë mbi nivelet e furnizimit të vitit të kaluar. Sipas saj, është tregu i anijeve cisternë që do të bartë barrën kryesore të krizës.
“Ne nuk po humbasim furnizim me naftë, por kjo do të ndikojë tek anijet cisternë nëse ato duhet të përshkojnë rrugë më të gjatë përreth Afrikës së Jugut gjë që zgjat rrugëtimin me dy javë dhe rrit e tarifavt e transportit”, tha ajo.
Rreth 10 për qind e tregtisë botërore lëviz përmes Kanalit të Suezit, i cili ka një rëndësi të veçantë për transportin e naftës./ VOA