Operacioni humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë dhe pensionistëve, nuk i ka penguar Forcat e Armatosura për t’i shërbyer komunitetit edhe në forma të tjera.
Xhenierët e Forcave të Armatosura janë angazhuar në ndërtimin e urës tip “bailey” në fshatin Pajun të njësisë administrative Papër.
Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e shoqëruar nga deputeti i qarkut Taulant Balla dhe kryetari i bashkisë Gledian Llatja inspektuan fillimin e punës për ndërtimin e urës.
“Sot, falë kontributit të djemve e vajzave në uniformë dhe në bashkëpunim me pushtetin vendor, do të nisë puna për ndërtimin e urës.
1 mijë banorëve të zonës, e veçanërisht fëmijëve do tu lehtësohet lëvizja drejt shkollës, drejt tokave që duhen punuar si burimi kryesor i jetesës në zona të tilla rurale apo drejt Elbasanit për të tregtuar produktet e tyre.
Nuk ka investim më të mirë në këto kohë të vështira sesa ai për familjen, ndaj dhe në familjen tonë të madhe ushtarake prioritet është ndihma ndaj familjeve shqiptare për nevojat e munguara apo mundësitë e kufizuara në përmirësimin e jetesës së tyre të përditshme”, tha ministrja Xhaçka.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledjan Llatja dhe deputeti Balla vlerësuan ndihmën konkrete që banorët e kësaj zone kanë dhënë për punët publike në njësinë e tyre, si dhe bashkëpunimin me komunitetin për zgjedhjen e stafeve që angazhohen në rastet e emergjencave civile.
Ura mbi përroin në fshatin Pajun do të jetë 45 metër e gjatë dhe përllogaritet t’u shërbejë rreth 1000 banorëve të njësisë administrative Papër.