Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, tha se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, porse nuk ka pasur simptoma dhe se e ka kaluar pa pasur nevojë të shtrohet në spital.
Lukashenka, 65 vjeç, i bëri komentet të martën para trupave të Ministrisë së Brendshme në Minsk.
“Kërkoj falje për zërin tim. Duhet të flas më ngadalë. Por, çuditërisht, ju tani po takoni një person që ka arritur ta tejkalojë koronavirusin në këmbë. Kjo është ajo që konstatuan mjekët dje. Unë isha asimptomatik”, tha Lukashenka.
Bjellorusia aktualisht ka 67,366 raste të konfirmuara me koronavirus, përfshirë 543 viktima.
Lukashenka vazhdimisht i ka minimizuar shqetësimet për rreziqet e sëmundjes, duke e cilësuar frikën nga pandemia si “psikozë”.
Lukashenka është në mes të fushatës për zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit.
Pas 26 vjetësh në pushtet, ai është përballur me rritje të pakënaqësisë publike në muajt e fundit.
Për më tepër, qindra njerëz, përfshirë aktivistë dhe blogerë, janë arrestuar, pasi qeveria ka sulmuar ashpër mitingjet dhe demonstratat që mbështesnin kandidatët e opozitës, të cilët nuk janë regjistruar nga zyrtarët e zgjedhjeve./ REL
The post “Unë isha asimptomatik”/ Presidenti bjellorus thotë se e ka kaluar koronavirusin appeared first on Vizion Plus.