Këto ditë nisi procesi i shpimit në bregdetin e Ulqinit për gjetjen e naftës dhe gazit, gjë e cila shkaktoi reagime dhe shqetësime të dukshme tek ambientalistët, shoqëria civile dhe tek banorët e qytetit.
Shpimet për hidrokarbure po bëhen vetëm dhjetëra kilometra larg bregut të detit, ku sipas tyre, rrezikohen resurset e pasura natyrore e posaçërisht turizmi i kësaj zone.
Përfaqësuesja e shoqërisë civile në Ulqin, zonja Zenepe Lika vuri në dukje se strategjia zhvillimore e Malit të Zi dhe posaçërisht e Ulqinit është e bazuar në zhvillimin e turizmit.
“Strategjia zhvillimore e Malit të Zi është e bazuar në zhvillimin e turizmit. Për këtë arsye nuk përputhen këto dy gjëra: shpimet dhe platformat e naftës me turizmin elitar siç pretendon gjithë këto vite Mali i Zi”, tha zonja Lika.
Kjo veprimtari në bregdetin e Ulqinit, sipas analistit Mustafa Canka është shkatërruese dhe rrezikon mirëqenien ekonomike të këtij qyteti.
“Bëhet fjalë për një projekt shkatërrues, i cili sjell në pikëpyetje mirëqenien tonë në këto hapësira, detin e bukur të Ulqinit si dhe ekonominë tonë, kryesisht zhvillimin e turizmit”, tha Canka.
Zonja Lika, vë në dukje, se Mali i Zi nuk është në gjendje të reagojë në mënyrën e duhur ndaj avarive të mundshme gjatë shpimit në det.
“Duhet të theksojmë se edhe kapacitetet e resurseve teknologjike dhe njerëzore të Malit të Zi janë të varfër dhe nuk janë në gjendje të reagojnë ndaj ndonjë avarie të mundshme në det”, tha zonja Lika.
Ndërkaq, Drejtoria e Hidrokarbureve në Mal të Zi ka bërë të ditur se gjatë hulumtimit, shpimit dhe eksplorimit të mundshëm të naftës dhe gazit, shteti ka parashikuar implementimin e standardeve më të larta nga aspekti i mbrojtjes së njerëzve dhe të ambientit.
Kjo drejtori e vlerësoi lartë kompaninë italo-ruse “Eni Novitek” dhe shprehen optimiste se shpimet në këtë zonë do të përfundojnë me sukses./ VOA