
Qyteti më i madh në territorin rus u pushtua dje nga forcat e armatosura të Ukrainës, siç njoftoi Volodymyr Zelensky.
Shuja, e cila para luftës kishte një popullsi prej 5000 banorësh, është qendra administrative e rajonit më të gjerë të Kurskut dhe më e madhja që Kievi ka deklaruar se ka hyrë në territorin rus.
Nën drejtimin e Zelenskyt, Ukraina po lëviz për të ngritur një zyrë ushtarake në qytet, një lëvizje që Sky Neës tha se mund të tregojë se forcat ukrainase planifikojnë të qëndrojnë në rajonin e Kurskut për një kohë të gjatë, ose të paktën t’ia dërgojnë atë mesazh Rusisë.
Kievi ende pohon se ushtria e tij ka avancuar në një thellësi prej 35 km në territorin rus dhe vazhdon të përparojë.
Në të njëjtën kohë, bashkëpunëtori i ngushtë i Vladimir Putin, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të negociojnë dhe t’i japin fund konfliktit të tyre të armatosur.
Duke folur në televizionin shtetëror rus, Lukashenko tha se të vetmit njerëz që duan që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të vazhdojë janë “figurat e rangut të lartë me origjinë amerikane”.
Perëndimi inkurajon Kievin të luftojë sepse ajo që dëshiron është që Rusia dhe Ukraina të shkatërrojnë njëra-tjetrën, shtoi presidenti bjellorus.
Në të njëjtën kohë, ai pretendoi, pa prova, se Kievi po planifikon gjithashtu një sulm ndaj Bjellorusisë, duke paralajmëruar se Minsku nuk do të lejojë që forcat ukrainase të “vënë këmbë”.
Moska është shprehur se nëse do të vazhdojë negociatat, këto duhet të bëhen me kusht që Ukraina të heqë dorë nga 1/5 e territorit të saj, pjesa më e madhe e të cilit është pushtuar nga forcat ruse.
Nga ana e saj, Ukraina deklaron se është e gatshme për negociata vetëm nëse respektohet plotësisht sovraniteti dhe integriteti i saj territorial./vizionplus.tv