Ukraina kërkon nga OKB të diskutojë për rezolutën ruse lidhur me Donbasin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ukraina kërkon nga OKB të diskutojë për rezolutën ruse lidhur me Donbasin

Ukraina zyrtarisht ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që të diskutojë për rezolutën e miratuar nga Parlamenti i Rusisë, përmes së cilës kërkohet që të njihen rajonet në lindje të Ukrainës, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se e ka parashtruar kërkesën në OKB për rezolutën për rajonin e Doneskut dhe Luhanskut, që njihen me termin Donbas.

Sipas Kulebas, rezoluta ruse minon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në lindje të Ukrainës. Ai shtoi se Kievi ka kërkuar që OKB-ja të bisedojë për këtë çështje gjatë të enjtes.

Më 15 shkurt, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus miratoi rezolutën për njohjen e dy territoreve në lindje të Ukrainës dhe tha se ky dokument do t’i dërgohet për shqyrtim presidentit rus, Vladimir Putin.

Advertisement

Ky vendim, nëse miratohet nga Putini, do të mund të përshkallëzonte edhe më shumë tensionet me Perëndimin lidhur me grumbullimin ushtarak rus pranë kufirit me Ukrainën. Besohet se në kufi Rusia ka vendosur 150,000 trupa, gjë që ka rritur shqetësimet se Moska është duke u përgatitur që ta sulmojë Ukrainën.

Rusia ka mohuar se ka plane të tilla.

Njohja e Republikave të vetëshpallura Popullore të Donetskut dhe Luhanskut – që njihen me termin Donbas – gjithashtu mund t’i jepte fund procesit të paqes së Minskut në lindje të Ukrainës, ku nga konflikti midis forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Moska, që nga prilli i vitit 2014 janë vrarë mbi 13,200 persona./ Rel

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy