Ujqit e vërtetë të Izraelit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ujqit e vërtetë të Izraelit

Kryeministri i akuzuar për korrupsion luan rolin e viktimës dhe keqpërdorë historinë, ndërsa i biri i tij lutet për shkatërrimin e BE-së dhe ëndërron “një Europë të krishterë”: çfarë drejtimi ka marrë demokracia izraelite? Një shpjegim brilant nga profesori Omri Boehm.

Nga Enver Robelli

Të dielën kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu doli para gjyqit. Ai akuzohet për korrupsion dhe poshtërsi të tjera. Netanjahu u përpoq ta prezantojë veten si viktimë të drejtësisë izraelite. Ai tha se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara dhe tregoi se tashmë i kanë shkruar edhe të mbijetuarit e Holokaustit duke i thënë se po luten për të për shkak se e kanë sulmuar dhe po e “shqyejnë ujqit”. “Kjo më ther në zemër”, shtoi Netanjahu me ton teatral të një akuzuari për korrupsion që nuk ka asnjë skrupull dhe keqpërdorë edhe tragjedinë historike të popullit hebraik për të arsyetuar të këqijat e tij.

Kampi i Netanjahut e ka sulmuar ashpër prokurorin Avihai Mandelblit, i cili tani gëzon mbrojtje policore. Mes viteve 2013-2016 Mandelblit ka qenë sekretar i kabinetit të Netanjahut, pra bashkëpunëtor lojal i kryeministrit. Tani është prokuror në procesin kundër ish-shefit të tij. Kjo është e mundur vetëm në një shtet demokratik siç është Izraeli. Në vendet përreth vetëm ideja apo ëndrra që të nxirren para gjyqit politikanë të dyshuar për korrupsion, konsiderohet mëkat. Në Izrael kryeministri Ehud Olmert është dënuar më 2012 me 27 muaj burg për mashtrim.

Advertisement

Por çfarë drejtimi ka marrë demokracia izraelite me Benjamin Netanjahun në krye? Në gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” profesori Omri Boehm, i lindur më 1979 në Haifa, tani ligjërues në New School for Social Research në New York, përshkruan dhe analizon në mënyrë brilante sjelljen e popullistit Netanjahu dhe qeverisë së tij. Boehm thekson se për liberalët gjermanë po bëhet gjithnjë e më vështirë të përkrahin Izraelin. Deri më tani ata thoshin: “Unë përkrah idenë e një shteti hebraik dhe demokratik, hedh poshtë pushtimin dhe shpresoj në një zgjidhje të konfliktit me dy shtete (Izrael dhe Palestinë)”.

Nën Netanjahun ideja se do të ketë dy shtete (një izraelit, tjetri palestinez) ka vdekur. Izraeli e ka ndërmend që sivjet gjatë verës të nisë aneksimin e rreth një të tretës të Bregut Perëndimor (Westbank). Nëse s’ka shtet palestinez dhe nëse trajtimi jo i barabartë juridik i hebrenjve dhe arabëve nuk parashikohet vetëm për 50 vite, por përgjithmonë, atëherë – pyet Boehm – a nuk është i saktë nocioni “aparteid”? Si qëndron puna me të drejtën e ekzistimit të Izraelit si shtet hebraik dhe demokratik nëse gati 50 për qind e popullsisë janë palestinezë?

Omri Boehm thekson se antisemitizmi real nuk haset te e majta politike, por te e djathta. “Donald Trumpi, i cili rregullisht shfrytëzon motive apo klishe antisemite, i ka quajtur ‘njerëz të mirë’ neonazistët që me kryqe hitlerianë marshuan në qytetin Charlottesville – dhe për këtë ai nuk është kritikuar nga Izraeli. Prej se ka vendosur të përkrahë aneksimin e territoreve palestineze nga Izraeli dhe të mbështesë legjislacionin nacionalist, ai gjithandej në spektrin politik të Izraelit përshëndetet si mik i vërtetë – dhe është pritur në (memorialin e gjenocidit ndaj hebrenjve) Yad Vashem si mysafir shtetëror”, shkruan Boehm.

Ai rikujton se nën Netanjahun shumë politikanë të djathtë të Europës dhe më gjerë si Viktor Orbán, Matteo Salvini, Jair Bolsonaro, Rodrigo Duterte janë pritur në Yad Vashem. Shumicën e këtyre politikanëve i bashkon refuzimi pjesërisht ekstrem i myslimanëve. Dhe shumica prej tyre nuk janë shquar si luftëtar kundër antisemitizmit. Përkundrazi: me sulmet kundër filantropit hebraik George Soros, kryeministri hungarez Viktor Orbán shërbehet me a pa dashje me klishe antisemite.

Advertisement

E djathta ekstremiste gjermane me në krye AfD-në (Alternativa për Gjermaninë) është lumturuar pa masë pasi djali i Netanjahut, Yair Netanjahu, i cili është edhe zëdhënës jozyrtar i babait të tij në mediat sociale, në fillim të majit shkroi në Twitter: “BE është armike e Izraelit. Schengeni ka vdekur. Shpresojmë së shpejti edhe BE globaliste. Pastaj Europa do të jetë e lirë, demokratike dhe e krishterë”. Në këtë Europë të fantazuar nga i biri i Netanjahut nuk do të kishte vend as për hebrenjtë, por për nacionalistët izraelitë të krahut të Netanjahut kjo nuk është aq e rëndësishme – me rëndësi është që Gjermania të çlirohet nga “ndikimi mysliman”, siç nënvizon profesori Omri Boehm.

Rrjedhimisht, jo pak izraelitë e shohin Trumpin si korrektues ndaj Barack Obamës gjoja promysliman dhe antihebraik. Ndonëse, shkruan Boehm, Obama e ka furnizuar me armë Izraelin si asnjë president amerikan para tij, por kjo nuk është marrë parasysh. “Obama kundërshtoi aneksimin, Trumpi dhe lëvizja Tea Party e përkrahën aneksimin, rrjedhimisht Obama u konsiderua antisemit”.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy