Trump, një hap pas/ Do dislokonte ushtrinë në disa qytete, tërhiqet nga deklarata (FOTO)

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Trump, një hap pas/ Do dislokonte ushtrinë në disa qytete, tërhiqet nga deklarata (FOTO)

Trump, një hap pas/ Do dislokonte ushtrinë në disa qytete, tërhiqet nga deklarata (FOTO)Pas kërcënimeve në adresë të shteteve se do të dërgonte ushtrinë për të shuar protestat, Presidenti Donald Trump duket se po tërhiqet nga deklaratat e tij.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se përgjigja ndaj demonstratave në të gjithë vendin tregon se qeveritë lokale duhet të jenë në gjendje ta rivendosin vetë rendin.

Ndryshimi vjen ndërsa protestat në Uashington dhe qytete të tjera vazhduan relativisht të qeta të martën mbrëma, një kontrast i dukshëm me përplasjet e ashpra jashtë Shtëpisë së Bardhë natën e së hënës. Presidenti synonte ta bënte përdorimin e forcës së ashpër në kryeqytetin Uashington një shembull për pjesën tjetër të vendit, tha të martën një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Departamenti i Mbrojtjes ka hartuar plane rezervë për aktivizimin e ushtrisë me detyrë aktive nëse është e nevojshme. Dokumentet e Pentagonit të para nga agjencia e lajmeve Associated Press tregojnë se si ushtarët e një divizioni të ushtrisë ishin planifikuar për të mbrojtur Shtëpinë e Bardhë dhe ndërtesat e tjera federale nëse situata e sigurisë në kryeqyteti do të përkeqësohej dhe Garda Kombëtare nuk do të mund t’i siguronte këto objekte.

Advertisement

Por interesimi për të ushtruar këtë autoritet të jashtëzakonshëm federal duket se ka rënë në Shtëpinë e Bardhë. Megjithëse masat e përdorura në demonstratat e Uashingtonit u vlerësua nga disa mbështetës të Presidentit Trump, një pjesë e vogël e republikanëve shprehën shqetësimin se oficerët e zbatimit të ligjit kishte rrezik të shkelnin të drejtat e protestuesve që mbrohen nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës.

Edhe Sekretari i mbrojtjes u distancua nga vendimi i Presidentit Trump për të ecur nëpër Parkun Lafayette për të bërë një foto përpara një kishe, pasi zona të ishte spastruar nga protestuesit.

Shefi i Pentagonit, Mark Esper, i cili eci me zotin Trump drejt Kishës së Shën Gjonit të hënën në mbrëmje, tha se ai nuk e dinte se ku do të shkonte grupi i drejtuar nga presidenti.

“Nuk e dija se ku po shkoja,” tha zoti Esper për NBC News. Ai tha se priste të shikonte dëmtimet që i ishin bërë një banjoje që ishte vandalizuar në Parkun Lafayette, përballë Shtëpisë së Bardhë dhe të bisedonte me trupat e Gardës Kombëtare të pozicionuara atje.

Advertisement

Të hënën mbrëma, gjendja në Uashington u përshkallëzua. Gati 30 minuta para orës 7 pasdite, kur në Uashington do të fillonte ora policore, oficerët e policisë zmbrapsën protestuesit me bombola tymuese dhe spray djegës.

“D.C nuk pati probleme mbrëmë. Pati shumë arrestime. Punë e shkëlqyer e bërë nga të gjithë. U përdor forcë mbizotëruese. Dominim”, tha zoti Trump të martën, pas një nate në të cilën forcat e armatosura rëndë dhe oficerët federalë mbushën qytetin. “(Faleminderit Presidentit Trump!),” shtoi zoti Trump në komentet e tij në Twitter.

Përplasja pasoi një fundjavë demonstrimesh jashtë Shtëpisë së Bardhë. Presidenti ishte zemëruar me imazhet që tregonin zjarre në parkun jashtë rezidencës ekzekutive dhe ku Shtëpia e Bardhë dukej e errësuar në sfond, sipas disa zyrtarëve aktualë dhe ata të fushatës Trump. Ai gjithashtu u zemërua për mbulimin mediatik që zbulonin se ai ishte marrë nga Shërbimi Sekret për t’u çuar në bunkerin e Shtëpisë së Bardhë gjatë protestave të së premtes.

Në një fjalim të hënën në Kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, ai u bëri thirrje zyrtarëve të rrisin praninë e Gardës Kombëtare për të shuar protestat. Nëse ata nuk e bëjnë këtë, tha Presidenti Trump, ai do të dërgonte ushtrinë në shtetet e tyre – një hap që është ndëamarrë rrallë në historinë moderne amerikane.

Advertisement

Qeveria federale u ka dhënë shteteve të prekura një listë me trupa dhe pajisje të Gardës Kombëtare nëse u nevojiten, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë. Zyrtari shtoi se mesazhi i zotit Trump drejtuar guvernatorëve ishte që nëse ata nuk përdorin të gjitha mjetet në arsenalin e tyre, atëherë nuk duhet të presin një përgjigje pozitive ndaj çdo kërkese për fonde ederale për të ndihmuar në pastrimin e pasojave dhe rimëkëmbjen.

Të hënën, 715 ushtarë nga Divizioni i 82-të Ajror mbërritën në zonën e kryeqytetit në rast se situata në Uashington do të përshkallëzohej. Ata janë të stacionuar në Bazën Andrews në Merilend dhe Fort Belvoir në Virxhinia. Dy batalione të tjera, me gjithsej 1.300 trupa, janë në gatishmëri në Fort Bragg në Karolinën e Veriut, sipas dokumenteve të para nga AP. Plani mban emrin Operacioni Themis.

Ushtarët në gatishmëri në zonën e Uashingtonit janë të armatosur dhe kanë mjete mbrojtëse për trazirat si dhe bajoneta. Pas raportimit nga AP për bajonetat, erdhën urdhra që ushtarët nuk do të kishin nevojë për to, sipas dy ushtarëve të batalionit që folën në kushte anonimiteti.

Ideja se mund të përdoreshin bajonetat në përballjen me civilët provokoi një zhurmë në mediat sociale dhe mes disa anëtarëve të Kongresit. Zyrtarë të administratës kanë pranuar privatisht se ngjarjet e së hënës nuk i bënë mirë imazhit të administratës. Disa ligjvënës republikanë, zakonisht mbështetës të presidentit ose që të paktën nuk e kritikojnë atë publikisht, thanë se zoti Trump kishte shkuar shumë larg në komentet për përdorimin e forcës për të spastruar rrugën para vizitës së tij në kishë.

Advertisement

“Njerëzit nuk kanë të drejtë për trazira, nuk kanë të drejtë të shkatërrojnë pronat e të tjerëve dhe asnjë të drejtë të hedhin gurë ndaj policëve”, tha senatori republikan i Nebraskës, Ben Sasse. “Por kanë një të drejtë themelore kushtetuese për të protestuar, dhe unë jam kundër shpërndarjes së një proteste paqësore për të bërë një foto, diçka që e trajton Fjalën e Zotit si propagandë politike.”

Ish nënpresidenti Joe Biden, që pritet të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat presidencial, tha për foton e zotit Trump me Biblën në dorë: “Thjesht do të dëshiroja që ai ta hapë atë ndonjëherë”.

Ishte Prokurori i Përgjithshëm William Barr ai që dha urdhrin për të shpërndarë protestën përpara se presidenti të ecte në këmbë drejt kishës, para fillimit të orës policore. Një person që e njihte çështjen tha se vendimi ishte marrë më herët të hënën, por nuk ishte ekzekutuar para se Barr të arrinte në Parkun Lafayette për të inspektuar vendin. Ai e dha urdhrin gojarisht.

Pasi demonstruesit ishin nxjerrë nga parku, Presidenti Trump doli nga Shtëpia e Bardhë me disa zyrtarë, duke përfshirë zotin Esper dhe Gjeneralin Mark Milley, kreun e Shtatmadhorisë. Zyrtarë të lartë të mbrojtjes u thanë gazetarëve se as Milley nuk ishte në dijeni se Policia e Parkut dhe forcat e rendit kishin marrë një vendim për të spastruar sheshin ose që Presidenti kishte në plan të vizitonte kishën. Ata kishin qenë në Uashington për t’u koordinuar me zyrtarët federale të zbatimit të ligjit por u ishte thënë të shkonin në Shtëpinë e Bardhë për të informuar zotin Trump mbo përgatitjet ushtarake, thanë zyrtarët./VOA

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy