Presidenti Donald Trump i ka dhënë dritën jeshile tranzicionit të pushtetit edhe pse ende nuk e ka pranuar humbjen e tij në zgjedhje.
Në një postim në rrjetin social twitter, kreu i shtëpisë së bardhë bëri të ditur se administrata e tij ka vijuar zyrtarisht me procedurat.
DONALD TRUMP PRESIDENT I SHBA
“Çështja jonë qëndron fuqishëm dhe ne do ta vazhdojmë betejën tonë ligjore. Sidoqoftë, në interesin më të mirë të vendit tonë, unë jam duke rekomanduar që administratorja e agjencisë federale dhe ekipi i saj të bëjnë atë që duhet bërë në lidhje me protokollet fillestare. Edhe ekipi im është udhëzuar të bëjë të njëjtën gjë.”
Transferimi i pushtetit presidencial fillon në një kohë kur edhe shteti i Miçiganit me 16 vota në kolegjin zgjedhor, certifikoi rezultatin sipas të cilit, kandidati demokrat Xho Bajdën ka fituar me 2.8% epërsi.
Tashmë, ekipi i presidentit të zgjedhur Xho Bajdën do të ketë fonde federale dhe një zyrë për të kryer tranzicionin gjatë dy muajve të ardhshëm. Bajdën dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris gjithashtu mund të marrin njoftime të rregullta të sigurisë kombëtare, njësoj si presidenti Trump.