Vetëm pak javë përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, debati politik në SHBA ka marrë një kthesë historike. Kreu i Shtëpisë së Bardhë siguroi nominimin e tretë konservator në Gjykatën e Lartë, duke emëruar gjykatësen Amy Coney Barret për të plotësuar vendin e mbetur bosh nga vdekja e anëtares liberale të kësaj gjykate, Ruth Bader Ginsburg.
DONALD TRUMP PRESIDENT I SHBA
“Sot jam i nderuar të emëroj një prej mendjeve më brilante dhe të talentuara të drejtësisë në kombin tonë, për gjykatën e Lartë. Ajo është një grua e arritjeve të pashembullta. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara u krijua për t’u dhënë votuesve një mundësi që të dëgjojnë zërin e tyre se kush shërben në Gjykatë. Ai moment është tani dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet.”
Vendimi i presidentit Trump për ta shpallur emërimin përpara zgjedhjeve u prit menjëherë me reagime të ashpra politike në Uashington. Senatorët republikanë thonë se procesi i konfirmimit duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa për demokratët, emërimi i duhej lënë fituesit të zgjedhjeve.
Në lojë është prirja politike nga do të anojë Gjykata, anëtarët e së cilës shërbejnë me mandat të pakufizuar. Nëse Senati miraton gjykatësen Barret, Gjykata e Lartë do të kishte 6 anëtarë koservatorë dhe 4 liberalë.
Presidenti Trump ka theksuar se është e rëndësishme që Gjykata e Lartë të jetë e plotësuar para datës së zgjedhjeve, në rast se do t’i duhet të përballet me sfida ligjore për votimet.
The post Trump emëron gjykatësen Barrett/ “Nxehet” debati politik para zgjedhjeve të 3 nëntorit appeared first on Vizion Plus.