Edhe pse Kolegji Zgjedhor në Shtetet e Bashkuara te Amerikës do të vulosë të hënën rezultatin e zgjedhjeve kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, thotë se lufta e tij nuk ka mbaruar. Në intervistën e tij të parë pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në “Foxnews”, Trump këmbënguli edhe njëherë se zgjedhjet janë të vjedhura dhe se fituesi i vërtetë është ai.
DONALD TRUMP
PRESIDENT NË SHBA
Advertisement“Jo, nuk ka mbaruar. Ne vazhdojmë dhe do të vazhdojmë të ecim përpara. Ne kemi raste të shumta në vendet lokale. Ata nuk zhvilluan një garë të mirë. Ata mashtruan. Ata hodhën qindra mijëra fletëvotime dhe bënë gjëra që askush nuk i ka parë ndonjëherë dhe ne i kapëm ata. E kemi provuar atë. Por asnjë gjykatës nuk ka pasur guximin, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë dhe jam shumë i zhgënjyer për këtë. Nuk lejuan të dëgjohet e verteta. Kam marrë më shumë vota se çdo president në historinë e vendit tone. Ajo që i ndodhi këtij vendi është se ne u beme si një vend i botës së tretë.”
Kur u pyet nga gazetari nëse ai do të merrte pjesë në inaugurimin e Joe Biden, Trump refuzoi të jap një përgjigje. Ai përsëriti se nëse nuk do të ishte ai president, vaksina e koronavirusin nuk do të ishte e disponueshme.
“Sipas pothuajse të gjithëve, madje edhe armikut, nëse nuk do të isha president, nuk do të kishit një vaksinë për pesë vjet. Unë kam shtyre FDA dhe kompanitë dhe të gjithë të tjerët të përfshirë si askush tjeter për të miratuar vaksinën.”
Nga nesër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shpërndahet vaksina e parë Pfizer/Biontech kundër COVID-19. Sipas autoriteteve, fillimisht do të shpërndahen rreth 3 milionë doza në gati 150 qendra shendetesore. Punonjësit e shëndetësisë dhe të moshuarit në institucionet e azilit pritet të jenë përfituesit kryesorë në raundin e parë të vaksinimit.