Dramë në botën e futbollit. Joseph Perfection Bouasse Ombiogno vdiq në moshën 21-vjeçare për shkak të një ataku kardiak. Kamerunasi i lindur më 1998 zbarkoi me shumë shpresa në Itali në vitin 2014. Sapo mbërriti aty, u lidh me një menaxher, që i premtoi një karrierë si profesionist.
Por, kur arriti në Romë, para stacionit të Termini, Joseph u braktis dhe u la i vetëm. Pasi u regjistrua në qendrat e pritjes së emigrantëve, sepse nuk kishte ku të shkonte, u këshillua që të bashkohej me “Liberi Nantes”, një shoqatë amatore sportive e themeluar më 26 tetor 2007.
Atje nisi të luajë futboll dhe ra në sytë e Romës, që e mori atë në “Trigoria”, për të luajtur me të rinjtë. Pas një viti e gjysmë pa luajtur ndeshje zyrtare për shkak të problemeve burokratike, Joseph Bouasse u bë lojtar verdhekuq në vitin 2016. Roma e huazoi fillimisht te Vicenza dhe pastaj, nga janari, te Gaz Metan Media, klubi rumun.
Mësohet se ai ka ndërruar jetë, pas sulmit në zemër. Në orët e para të pasdites ka mbërritur edhe ngushëllimi i Romës përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Twitter: “Roma mban zi për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit tonë të të rinjve, Joseph Bouasse Perfection, dhe është afër të dashurve të tij në këtë moment të dhimbjes së madhe”.