Kryeqyteti francez është përfshirë nga trazirat mbrëmjen e së enjtes. Protestuesit marshuan në rrugët e Parisit duke kundërshtuar mbylljen e dytë kombëtare.
Masat e reja të cilat kanë hyrë në fuqi në mesnatë, konsiderohen të padrejta dhe antidemokratike. Shkollat fatmirësisht do të qëndrojnë të hapura por nxënësit nga mosha 6 vjeç janë të detyruar të mbajnë maskën.
Ndërkohë në Italinë fqinje vijojnë protestat në disa qytete, nga dita e diel kur u prezantuan masat e reja kufizuese. Në Palermo dhe Verona, pronarët e bizneseve dhe qytetarët janë përplasur me forcat e policisë, duke i sulmuar me fishekzjarrë dhe mjete të tjera.
Ndërkohë Spanja ka shtyrë për gjashtë muaj gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa Gjermania do të nisë izolimin e butë kombëtar nga data 2 nëntor.
Masat janë më pak të ashpra se ato të pranverës, dhe përfshijnë mbylljen e restoranteve, bareve, palestrave, kinemave apo teatrove.
Lajmet për kufizime të reja në ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian, u pasuan me rënie të forta në tregjet financiare.