Të paktën pesë emigrantë kanë humbur jetën sot gjatë tentativës për të kaluar me varkë Kanalin Anglez për të mbërritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
BBC raporton se mes viktimave është edhe një fëmijë. Në varkë kishte rreth 110 emigrantë, sipas autoriteteve lokale të Francës Veriore.
Gazetat franceze bëjnë me dije se rreth 100 emigrantë u shpëtuan mëngjesin e sotëm nga marina ushtarake franceze.
Tragjedia me varkën e përmbytur vjen vetëm pak orë pas miratimit të projektligjit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Ruandën, që synonndalimin e kalimit të emigrantëve ilegalë me varka në kanalin anglez.
Parlamenti britanik miratoi të hënën mbrëma projektligjin shumë të diskutueshëm për deportimin e azilkërkuesve në Ruandë, të cilët hynë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Kryeministri konservator i Britanisë Rishi Sunak tha dje se qeveria e tij është gati të fillojë deportimin e azilkërkuesve në Ruandë brenda 10 deri në 12 javëve.
Konservatorët e paraqesin projektligjin si një masë kundër imigracionit të parregullt dhe do të bëjnë që refugjatët dhe migrantët, pavarësisht nga origjina e tyre, të deportohen në Ruandë nëse ata kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht me anije, duke kaluar Kanalin Anglez.
Dhjetëra mijëra emigrantë, shumë prej tyre që ikin nga luftërat dhe varfëria në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi, kanë arritur në Britani vitet e fundit duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla në udhëtime të rrezikshme të organizuara nga bandat e kontrabandës së njerëzve.
Ndalimi i fluksit është një qëllim kryesor për qeverinë, por kritikët thonë se plani për të dëbuar njerëzit në Ruanda është çnjerëzor dhe se vendi i Afrikës Lindore nuk është një vend i sigurt.
Vende të tjera evropiane, përfshirë Austrinë dhe Gjermaninë, po shikojnë gjithashtu marrëveshje për të dërguar azilkërkuesit jashtë vendit./vizionplus.tv